Foto: Liqeni i Përlepnices/Facebook

Vapa në Gjilan, Haziri apelon për kursim të ujit dhe shmangie të lëvizjes në diell

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri u ka bërë apel qytetarëve gjilanas  për kursimin e ujit, kujdesin maksimal ndaj inicimit të zjarreve, si dhe shmangien e lëvizjes gjatë temperaturave të larta këto ditë në vend, sidomos për personat e moshuar fëmijët dhe personat me sëmundje kronike.

Sipas një njoftimi të komunës, Haziri ka deklaruar se Gjilani që nga 13 qershori është duke kaluar nëpër një thatësi shumë të madhe.

“Deri sot me mbështetjen dhe bashkëpunim të plotë me qytetarët e Gjilanit kemi arritur që të menaxhojmë me lojalitet të plotë situatën e thatësisë. Mirëpo thatësia e madhe që po kalojmë tani kërkon një kujdes edhe më të madh për njerëzit dhe pronat njëkohësisht”, ka thënë ai.

Haziri ka njoftuar se të gjithë punëtorët në sektorin publik, që kanë problem me sëmundje kronike do të jenë të lirë ose do të punojnë me një orar të kufizuar, në mënyrë që ta përballojnë këtë kohë me temperatura të larta dhe sipas tij, që të mos ketë pasoja në njerëz.

“Falënderoj të gjithë bashkëpunëtorët, mirëpo duhet të jemi solidar së pari ndaj njerëzve dhe do të sjellim vendime me kohë, që të ruhet shëndeti. Apelojmë edhe qytetarët që të jenë të kujdesshëm dhe të mos dalin në temperature të larta. Sot Gjilani ka një mot me temperaturë 40 gradë celsius dhe ditët në vazhdim do të jenë me temperatura tropikale”, citohet të ketë thënë kryetari i komunës.

Haziri ka apeluar për kujdes edhe ndaj pronave publike e komunikacion.

“Gjithashtu nga burimet private apeloj që të mbrohet edhe prona publike, të ketë kujdes maksimal dhe të mos bëhen inicime të zjarreve, të ketë kujdes maksimal në komunikacion deri në kapërcimin e thatësisë”, ka thënë mes tjerash, në apelin e tij Haziri.

Në anën tjetër, sipas parashikimeve meteorologjike edhe në ditët e ardhshme në  Kosovë  do të  vazhdojë vapa, me temperatura të larta deri në 36 gradë Celsius.

Gjatë ditës së sotme, edhe Kompania regjionale Hidrodrini ka apeluar te qytetarët e Pejës që të kenë kujdes me shpenzimin e ujit të pijes.