Valltarja në mesin e të arrestuarëve mbrëmë nga Njesia Speciale

Katër persona janë arrestuar mbrëmjen e kaluar në Prishtinë pas një operacioni të gjerë policor.

KALLXO.com mëson se L. Z. valltare nga Suhareka është njëra nga të arrestuarit nga Njësia Speciale mbrëmë në Prishtinë.

Policia e Kosovës njoftoi sot se dy nga katër të arrestuarit e mbrëmshëm janë persona të  kërkuar me urdhër arrest ndërkombëtar dhe të dy janë të dyshuar për përfshirje në vrasje.

Siç ka njoftuar Policia, deri të identifikimi dhe arrestimi i të dyshuarëve kanë arritur falë bashkëpunimit me autoritete malazeze.

“Policia e Kosovës, në frymën e bashkëpunimit ndërkombëtar, në këtë rast pas shkëmbimit të informacioneve me autoritete malazeze, me datë 18.07.2018, në Prishtinë ka zhvilluar një operacion policor për identifikimin dhe arrestimin e disa shtetasve të huaj, dy nga ta të kërkuar me urdhër arrest ndërkombëtar që dyshohet se janë të përfshirë edhe në Vrasje”, ka njoftuar Policia.

Sipas njoftimit, operacioni është zhvilluar në dy lokacione në Prishtinë dhe gjatë kontrollit janë gjetur dhe sekuestruar dy armë, sasi e narkotikëve, një veturë, dokumente që dyshohet se janë të falsifikuara, sasi e parave dhe gjëra të tjera.

“Policia gjatë operacionit ka arrestuar katër persona të dyshuar, dy nga të cilët dyshohet se përveç urdhër arrestit ndërkombëtar për vrasje, dyshohen të jenë përfshirë edhe në veprat penale: Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e pa autorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge dhe Mbajtje në pronësi, kontroll apo posedim të armës”, bën të ditur njoftimi i Policisë.

Sipas Policisë aksioni i Njësive Special ka rezultuar me arrestimin e katër personave të dyshuar.

“M.M. viti i lindjes 1981, mashkull/shtetas i Malit të Zi, J.P. viti i lindjes 1988, mashkull/shtetas i Malit të Zi, S.D. viti i lindjes 1996, mashkull/shtetas i Serbisë, L.Z. viti i lindjes 1995, femër/shtetase e Kosovës. Me vendim të prokurorit, personat e dyshuar janë ndaluar për 48 orë”, përfundon njoftimi i Policisë së Kosovës lidhur me aksionin e mbrëmshëm në Prishtinë.