Valdrin Lluka, Ministër i Zhvillimit Ekonomik. Foto: Kallxo.com

Valdrin Lluka: Deputeti Haxhiu po bënë deklarata popullsite kur flet për Telekomin

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka ka reaguar ndaj deklaratave të deputetit të PDK-së, Bekim Haxhiu i cili ka thënë se pas shkëputjes së kontratës së Telekomit me kompaninë Z-mobile automatikisht klientët e Z-Mobile duhet të kalojnë tek Telekomi.

Kjo deklaratë e deputetit Haxhiu e ka ‘irrituar’ ministrin Lluka, i cili përmes një postimi në facebook ka thënë që duhet ta kundërshtoi për dy arsye deputetin për të cilin ka respekt.

“Me gjithë respektin që kam për juve për kontributin e dhënë për Kosovën në kohët më të vështira, më duhet të ju kundërshtoj, për dy arsye. 1. Kur unë flas për transferim gradual të numrave, brenda 30 deri 120 ditë, unë flas duke u bazuar në atë që personat kompetent e thonë në media, në këtë rast kryeshefi ekzekutiv i Telekomit. Unë dëgjoj, lexoj dhe flasë në bazë të fakteve dhe jo për të ushqyer qytetarët me popullizëm. 2. Kur unë flas për transferim gradual të numrave, unë flasë në bazë të asaj çfarë thotë rregullatori i këtij dikasteri, si institucion kompetent i cili sqaron që numrat nuk barten në formë automatike pasi që secili klient duhet të ndrroj sim kartelën dhe bartja automatike është e pamundur. Unë dëgjoj, lexoj dhe flasë në bazë të fakteve dhe jo për të ushqyer qytetarët me popullizëm”, ka shkruar Lluka në facebook.

Lluka ka thënë se i gjithë ky ‘popullzim’ i deputetit Haxhiu vie pikërisht për shkak të ‘etheve’ të zgjedhjeve të parakohshme, por duhet të kursehen nga ofendimet dhe duhet të bazohen në fakte.

“Deputet i nderuar, edhe pse të konsideroj edhe mik, e kuptoj që ka ardhur koha e zgjedhjeve ku popullizmi e kritikat pa vend zënë vend të veçantë. Fatmirësisht, unë nukl i takoj asaj gjenerate të politikanëve. Unë nuk ofendoj asnjë deputet, asnjë ministër dhe asnjë aktivist. Unë jam gjeneratë e fakteve, ideve dhe vizioneve që qytetarët dëshirojnë të dëgjojnë e shohin”, ka theksuar Lluka.

Tutje Lluka për ‘ironizuar’ edhe më shumë me deklaratën e deputetit Haxhiu u përkujdes që ta citoj ministrinë Pal Lekaj.

“Unë jam më shumë teknokrat e profesionist se sa politikan e popullist. Siç do thoshte një kolegë i imi, më vie keq”, përfundoi Lluka.

Në fund të muajit korrik ka përfunduar kontrata 10 vjeçare mes Telekomit të Kosovës dhe Dardafon (Z-Mobile).

Kontrata e cila ka ngritur shumë pluhur për dëmet që ia ka shkaktuar Telekomit të Kosovës ka përfunduar pas gjashtë muaj negociata të pasuksesshme për ndonjë marrëveshje të re.

Vendimin për përfundimin e kontratës e kanë bërë të ditur më 30 korrik, kryetarja e Bordit, Besa Shatri – Berisha dhe kryeshefi ekzekutiv të Telekomit të Kosovës, Bedri Istrefi.