Yelizaveta Peskova, vajza e zëdhënësit të Kremlinit, Dmitry Peskov - Foto: REL/TASS

Vajza e zëdhënësit të Putinit punon në Parlamentin Europian

Vajza e zëdhënësit të Presidentit të Rusisë, Vladimir Putin, punon si praktikante në Parlamentin Europian në Bruksel dhe ka qasje të pakufizuar në dokumente të ndryshme të BE-së, ka mësuar Radio Evropa e Lirë.

Yelizaveta Peskova, 21 vjeçare, vajza e zëdhënësit të Kremlinit, Dmitry Peskov, shërben si trajnere së bashku me Aymeric Chauprade, një anëtar francez i Parlamentit Europian, i cili e kishte përkrahur haptas aneksimin e Krimesë nga ana e Rusisë në vitin 2014.

Emri i Yelizaveta Peskova gjendet në faqen zyrtare të Parlamentit Europian te pjesa ku shkruhet për anëtarin francez të Parlamentit Aymeric Chauprade.

Politikani francez e ka konfirmuar për Radion Europa e Lirë se ajo është pjesë e ekipit të tij.

Sigurisht, zonja Peskova është vajza e një personaliteti të rëndësishëm në Federatën Ruse, por si studente, ajo nuk ka më pak të drejta sesa të rinjtë tjerë për të bërë një praktikë si pjesë e studimeve të saj”, tha Chauprade në një përgjigje të dërguar përmes postës elektronike.

Ai tha se Peskova nuk punon aktualisht në Rusi dhe as për ndonjë shtet ose entitet privat.

“Rrjedhimisht nuk mund të ketë konflikt interesi në ushtrimin e mandatit tim si anëtar i Parlamentit Europian”, shtoi Chauprade.

Ai është anëtar i Komitetit për Marrëdhënie më Jashtë si dhe anëtar i Nënkomitetit për Siguri dhe Mbrojtje të Parlamentit Europian.

Gjithashtu, politikani francez, është pjesë e delegacionit të Komitetit të përbashkët BE-RUSI të Parlamentit.

Ai ishte një nga vëzhguesit ndërkombëtar në referendumin e mbështetur nga Moska në Krime. Ushtria ruse e aneksoi gadishullin ukrainas në mars të vitit 2014. Në atë kohë, Chauprade e quajti referendumin “të justifikuar”, një pozicion ky që ishte në kundërshtim me atë të Bashkimit Europian.

Një rezolutë e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së e mbështetur nga 100 vende e shpalli referendumin të pavlefshëm.

Disa deputetë të Parlamentit Europian të kontaktuar nga Radio Europa e Lirë thanë se nuk janë në dijeni se një e afërme e zyrtarit të lartë rus është duke punuar me ata në Parlamentin Europian.

Sandra Kalniete nga Grupi më i madh Parlamentar, Partia Popullore Europiane e qendrës së djathtë, e konsideron si “neglizhencë” angazhimin në Parlamentin Europian të vajzës së zyrtarit të lartë rus.

“Kjo është shkelje e rregullave të përgjithshme të sigurisë të Parlamentit Europian”, tha Kalniete.

Petras Austrevicius, nga grupi liberal në PE, e quajti angazhimin e Peskovës një “turp të madh në fytyrën e Parlamentit Europian”.

“Nuk mund të besoja se Kremlini mban duart në xhepat dhe zemrën e institucioneve të BE-së”, i tha Radios Europa e Lirë, eurodeputeti, Petras Austrevicius.

E pyetur nga Radio Europa e Lirë një zëdhënëse që flet në emër të vajzës së zyrtarit të lartë rus, tha se nuk mund të konfirmonte punësimin e saj në Parlamentin Europian.

Si praktikante, Peskova ka qasje të pakufizuar në ndërtesat e Parlamentit Europian në Bruksel dhe Strasburg si dhe mund të marrë pjesë në të gjitha mbledhjet e komiteteve dhe organeve tjera të Parlamentit Europian.

Meqenëse kontrollet nganjëherë janë shumë të lehta, ekziston edhe mundësia që ajo të jetë e pranishme në tubimet e grupeve të tjera politike. Ajo gjithashtu ka qasje në rrjetin e brendshëm të Parlamentit Europian dhe rrjetin e brendshëm të deputetëve të partisë së deputetit francez ku e bën praktikën.

Praktikantët në Parlamentin Europian paguhen nga buxheti i eurodeputetit përkatës, i cili financohet nga taksapaguesit europianë.

Ende është e paqartë nëse është duke u paguar dhe sa para merr vajza e zëdhënësit të Kremlinit si pjesë e praktikantëve në Parlamentin Europian.

Deputeti e përcakton se sa paguhet një praktikant dhe shuma ndahet nga shpërndarja mujore që bën për stafin nga një buxhet prej 25 mijë eurosh.

Pagesa maksimale për një praktikant është rreth 1,600 euro, megjithëse është e mundur që eurodeputetët të punësojnë praktikantë pa pagesë.

Peskova është një nga fëmijët e shumtë të elitës politike të Rusisë që banojnë ose studiojnë në Europën Perëndimore.

Babai i saj, i cili ka shërbyer si zëdhënës i Putinit për gati dy dekada. Udhëheqësi i opozitës ruse, Aleskei Navalny, disa herë ka folur për të duke vënë në pah pasurinë e tij.

Peskova është shumë aktive në rrjetet sociale ku tregon për jetën glamuroze që bën ndërmjet Brukselit, Parisit dhe Moskës. Ajo ka rreth 80,000 ndjekës në Instagram.

Megjithatë në rrjete sociale ajo nuk ka ndonjë foto të postuar nga Parlamenti Europian por kryesisht duke vizituar monumente në Bruksel. (REL)