Fushata pë pushtimin e majave tjera | Uta Ibrahimi

Uta Ibrahimi Synon Maja të Reja

Uta Ibrahimi, alpinistja nga Kosova e cila njihet më së miri si gruaja e parë shqiptare që ngjiti Mont Everestin, në ambientet e Qendrës Informative dhe Kulturore të BE-së në Prishtinë, shpalosi planet e saja për ekspeditën e radhës që do të përfshijë ngjitjen e 14 majave të Himalajeve.

Me këtë rast u lansua edhe fushata online për mbledhjen e fondeve për këtë ekspeditë përmes platformës Kosova Ideas.

Në vitin 2017, Uta Ibrahimi u bë gruaja e parë shqiptare e cila ngjiti dy nga majat më të larta të Himalajeve — Everestin dhe Manasulun.

Përmes ekspeditës “14 Majat e Himalajeve” — e cila pritet të zgjasë pesë vjet, deri më 2023 — planifikohet ngjitja e 12 majave tjera që do të jenë të qasshme nga Nepali, Pakistani, India, dhe Kina.

Të gjitha këto aventura do të mund të ndiqenpërmes blogut, titulli i të cilit, Utalaya, është një përngjitje e zgjuar mes emrit të Utës dhe Himalajeve.

Nga dy ngjitje janë planifikuar për çdo vit.

Pjesa e parë e ekspeditës pritet të fillojë në periudhën prill–maj 2018 me ngjitjen 8,516 metërshe për në majën Lhotce që gjendet mes Nepalit dhe Tibetit (në Kinë).

Më pas ekspedita pritet të vazhdojë gjatë periudhës korrik-gusht për ngjitjen 8,611 metërshe të majës K2 që gjendet në kufirin mes Kinës dhe Pakistanit.

“K2 njihet si maja më e rrezikshme në botë”, tha Ibrahimi. “Shpresoj shumë se do të ngjitem (me sukses) dhe do të kthehem (sigurt) bashkë me juve prapë këtu”.

“Janë veç dy javë në mes të këtyre dy ekspeditave”, shtoi Ibrahimi. “Kjo ka me qenë (gjëja) më e vështirë”.

Përpos peripecive të ndryshme me të cilat Uta Ibrahimi dhe ekipi i saj i vullnetarëve do të përballen gjatë kësaj ekspedite, më urgjentja ndër ‘to, për momentin, është sigurimi i fondeve që do të mundësonin këtë ekspeditë. Këto fonde do të përdoren për pajisjet, sikur kthetrat, kazmat, maskat e oksigjenit dhe pajisjet e kampingut, por gjithashtu për biletat e fluturimit, çmimiet për akomodim, dhe kostot e vetë ekspeditës.

Një pjesë e mbledhjes së fondeve do të bëhet përmes fushatës së donacioneve online përmes platformës Kosova Ideas.

“Përmes kësaj kampanje ne jemi tuj kërku donacione prej njerëzve të cilët nga shtëpitë e tyre mund të dhurojnë një euro, dy euro, apo 50 e 100 euro, apo sado që kanë dëshirë”, tha Ibrahimi.

“Kur jam kthy e kam kuptu (rëndësinë e ngjitjes time në Everest)”, tha Ibrahimi. “Jo vetëm për mua, por për krejt popullin shqiptar, për shkak se ngjitja e flamurit tonë të kombit dhe flamurit të shtetit, i ka ba shumë njerëz me u ndi krenarë. Kështu që, me këtë rast e kam kuptu që ky projekt nuk është veç projekt i jemi, por projekt i krejt popullit shqiptar”.

Uta Ibrahimi pushtoi zemrat dhe mendjet e publikut, duke qenë alpinistja e parë shqiptare që ngjiti me sukses majën 8,488 metërshe të Mont Everestit, në këtë mënyrë duke u shndërruar në një simbol të potencialit dhe mundësive jo vetëm për rininë, por edhe për vetë Kosovën si shtet më i ri në Europë.

“Si një alpiniste femër, gjithashtu dua të ngre vetëdijen për çështjet gjinore në shoqërinë tonë”, shkruan Uta Ibrahimi në fletushkën e fushatës për këtë ekspeditë.

“Po, është e mundur që një femër nga Kosova të ngjitet në majën më të lartë të botës — Mont Everest. Unë do të dëshiroja që kjo (ekspeditë) t’i shtyjë më shumë vajza që arrijnë të ngjiten në shkëmbinj dhe maja”, shton ajo.