Reagimi i FSK-së nëse do të sulmohej një person VIP gjatë shoqërimit nga ta (Ushtrim), Foto: Kallxo.com

Pamje: Ushtria e Kosovës teston armët dhe reagimin

Në ditën e gjashtë të ushtrimit fushor ‘Shqiponja 6’, më 9 maj 2018, FSK duhet të dëshmojë aftësitë reaguese nëse një person VIP sulmohet gjatë shoqërimit nga njësitë e saj.

Sipas skenarit, një person VIP ka qenë duke shkuar në bazën e përparme operacionale të FSK-së dhe ka kërkuar që nga një lokacion i caktuar të shoqërohet nga njësitë e Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Pjesë e këtij ushtrimi ka qenë që rrugës për në bazën e përparme operacionale personi VIP së bashku me njësitë e FSK-së sulmohen nga disa pjesëtarë të mbetur të grupit kriminal të improvizuar “Pandora”. Rolin e pjesëtarëve të grupit kriminal të improvizuar ‘Pandora’ e luajnë pjesëtarët rezervë të FSK-së.

FSK ka arritur ta kalojë këtë sfidë me sukses. Pjesëtarët e saj kanë arritur që të marrin personin VIP, të largojnë pjesëtarët e grupit ‘Pandora’ dhe të kthehen në bazë pa problem.

Ky është episodi i gjashtë i serisë së emisioneve speciale për FSK-në, KALLXO Forca.

Në ditën e parë të ushtrimit fushor ‘Shqiponja 6’, më 3 maj të këtij viti, 700 ushtarë janë dislokuar dhe janë vendosur në kampin fushor në Koliq. Më pas, në ditën e dytë të ushtrimit fushor ‘Shqiponja 6’, është simuluar një krizë në rajonin e Batllavës ku si rezultat i reshjeve të vazhdueshme është rritur niveli i ujit në liqe. Në mënyrë që mos të ketë dëmtime edhe më të mëdha, zyrtarët kanë hapur kanalin dhe kanë lejuar sasi të mëdha të ujit të dalin në lum.

Në ditën e tretë, në ushtrimin fushor ‘Shqiponja 6’, janë simuluar situata ku është dyshuar se grupet kriminale mund të kenë vendosur mjete të helmuara në afërsi të liqenit të Batllavës. Po ashtu, pjesë e këtij ushtrimi kanë qenë edhe rastet kur grupet kriminale kanë tentuar të bllokojnë lëvizjet e trupave tona në zonën e operacionit duke vendosur barrikada në rrugë. Ka pasur edhe simulim të rasteve ku një familje ka pasur nevojë për ndihmë dhe evakuim nga thellësia e liqenit të Badovcit.

Në ditën e katërt, FSK ka dëshmuar aftësitë në ushtrimin për neutralizimin e minave dhe shpëtimin e një fëmije të mbytur në liqenin e Batllavës. Ndërsa në ditën e pestë është simuluar situata se si do të reagonte FSK në rast se do të kishte shpërthim të termocentralit ‘Kosova A’.

Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) ka realizuar ushtrimin fushor “Shqiponja 6” në koordinim të plotë me shtetet aleate dhe sipas standardeve më të larta të NATO-s.

Përpos trupave të FSK-së, pjesëmarrës në ushtrimin fushor “Shqiponja 6” kanë qenë edhe efektivët ushtarakë nga Shqipëria, Kroacia, Mali i Zi, Maqedonia, ShBA-ja, Turqia, Mbretëria e Bashkuar dhe KFOR-i.

Më poshtë mund të gjeni xhirime ekskluzive të realizuara nga KALLXO.com në bashkëpunim me FSK-në kuadër të ushtrimit fushor ‘Shqiponja 6’.