Lansimi i projektit | Foto: KALLXO.com

USAID dhe Riinvest Lansojnë Projektin për Konkurrueshmëri të Komunave

USAID dhe Instituti Riinvest kanë lansuar projektin “Indeksi Komunal i Konkurrueshmërisë – MCI”.

James Hope, drejtor i Misionit të USAID-it në Kosovë tha se është i lumtur që me këtë projekt do të krijohet mjedis lehtësues për bizneset dhe krijimin e shërbimeve të mira për qytetarët në nivelin komunal.

“Indeksi i Komunal i Konkurrueshmërisë, së komunave ka të bëjë me ndërtimin e transparencës dhe qeverisjes së mirë anembanë Kosovës në të gjitha komunat dhe është dëshmuar si një mjet shumë efektiv”, tha Hope.

Ai ka treguar se ky projekt i përfshin 38 komunat e Kosovës.

“E përfshin konkurrueshmërinë sepse nxit garë mes gjitha komunave që konkurrojnë mes veti për t’u rangu sa më mirë. Kjo mund të jetë një vegël e vlefshme për komunat  për t’i këmbyer mes vete praktikat më të mira dhe ndihmon në gjetjen e zgjidhjeve në sfidat me të cilat ballafaqohen komunat”, tha ai.

Hope beson se ky program funksionon, duke treguar se në nivelin kombëtar Kosova është ngritur për 20 vende në raportin e Bankës Botërore të të bërit biznes.

E Albert Hashani, drejtor ekzekutiv në Riinvest, tha se Indeksi Komunal i Konkurrueshmërisë i ka 8 indikatorë bazë për të matur konkurrueshmërinë në nivel komunash.

“Këta indikatorë përfshijnë barrierat për hyrjen në biznes. Pra cilat janë ato barriera të cilat po i pengojnë bizneset për të filluar afarizmin e tyre në nivel komune”, u shpreh Hashani.

Sipas tij Indeksi Komunal i Konkurrueshmërisë do të dizajnohet për secilën komunë duke përfshirë çdo rajon të Kosovës. Dhe si mostra do të merren 3 mijë e 100 ndërmarrje.