Foto: ZKA

USAID dhe Auditori i Përgjithshëm bëhen bashkë në luftën kundër korrupsionit

Drejtori i Misionit të USAID-it në Kosovë, James Hope, dhe Auditori i Përgjithshëm, Besnik Osmani, nënshkruan një Memorandum Bashkëpunimi (MiM) për forcimin e përpjekjeve të përbashkëta në luftimin e korrupsionit në prokurimin publik në Kosovë.

Sipas komunikatë së Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA), MiM përcakton parimet udhëheqëse të bashkëpunimit ndërmjet Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA) dhe USAID-it, përmes aktivitetit Komuna Transparente, Efektive dhe Llogaridhënëse (USAID TEAM) në Kosovë.

Besnik Osmani citohet të ketë thënë është e rëndësishme ngritja e kapaciteteve në identifikimin e rasteve të mashtrimit dhe korrupsionit

“Për mua si Auditor i Përgjithshëm, është shumë e rëndësishme ngritja e kapaciteteve tona në identifikimin dhe raportimin e dukurive negative siç janë mashtrimi dhe korrupsioni, atëherë kur gjatë auditimit vërejmë se ka elemente të tilla” ka thënë Osmani.

Sipas komunikatës, drejtori i misionit të USAID-it në Kosovë Xhejms Houp theksoi mbështetjen për ZKA-në në luftimin e korrupsionit

“USAID-i është i përkushtuar që të ndihmojë ZKA-në dhe Qeverinë e Kosovës në zbulimin dhe luftimin e korrupsionit në prokurimin publik, duke garantuar një cilësi më të mirë të shërbimeve për qytetarët” , vazhdon tutje komunikata e ZKA-së

Shumë shpesh në Kosovë, qytetarët, organizata të shoqërisë civile dhe sektori privat raportojnë se fondet publike keq orientohen, duke rrezikuar cilësinë e shërbimeve publike, dëmtuar besimin e qytetarëve dhe dekurajuar investimet e huaja. Një sistem efektiv i prokurimit përfshinë mekanizma që kujdesen për fondet publike dhe që minimizojnë humbjen e të hyrave përmes kontrollit të mashtrimit, humbjes dhe abuzimit. Adresimi i këtyre dobësive në sistem është shumë me rëndësi për Kosovën.

Aktiviteti i USAID-it për Komuna Transparente, Efektive dhe Llogaridhënëse në mënyrë të veçantë do të mbështesë ZKA-në në përpjekjet e saj për të ndërtuar kapacitetet për zbulimin e mashtrimit dhe për të forcuar mekanizmat tjerë për minimizimin e humbjes së të hyrave, duke siguruar kështu shërbime më të mira për qytetarët. Gjithashtu, përmirësimet në prokurimin publik rrisin kënaqshmërinë e qytetarëve me punën e qeverisë dhe forcojnë besimin në mes të qeverisë dhe qytetarëve