Kosovo Catholics attend a Christmas mass at St. Anthony church in Pristina Tuesday, Dec. 25, 2012. (AP Photo / Visar Kryeziu)

Urimet e Liderëve për Krishtlindje

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga kërkoi punë për të mirën e përgjithshme.

“Të punojmë pareshtur për të mirën tonë të përbashkët dhe të mos i harrojmë asnjëherë njerëzit në nevojë, të solidarizohemi me ata dhe të ndajmë momentet shumë të çmuara të kësaj feste madhështore,” thuhet në urimin e Presidentes.

Jahjaga uroi edhe familjarët e atyre që u angazhuan dhe u sakrifikuan për lirinë e Kosovës, ambasadorët, përfaqësuesit diplomatikë, komandantët dhe ushtarët e KFOR-it dhe të gjithë përfaqësuesit e tjerë ndërkombëtarë që janë në Kosovë.

Edhe kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa tha fjalët e tij për këtë festë.

“Festa e Krishtlindjes përcjell te njerëzit e vullnetit të mirë forcën e besimit, vlerat e humanizmit si dhe forcon virtytet e besimtarëve anekënd botës,” tha Kryeministri.

Gjithashtu, sipas kryeministrit Isa Mustafa, Krishtlindja sivjet, ka një simbolikë të veçantë për popullin e Kosovës, pasi që shënon miratimin e Papa Françeskut për t’i hapur rrugë shenjtërimit të Nënës Terezë.

Besimtarët i uroi me anë të një letreje edhe Imzot Dodë Gjergji. Edhe ai përmendi paralajmërimin e shenjtërimit të Nënë Terezës.

“ Kjo është dhurata më e mirë që na dhurohet për këto krishtlindje. Kjo dhuratë e Papa Françeskut është një shenjë se Zoti gjithnjë e shpërblen kishën e vet me dhurata hiri dhe shenjtërie, që e ndihmojnë të qëndrojë e zgjuar në uratë,” shkroi Dodë Gjergji.

Për krishtlindje uroi edhe ipeshkvin Dodë Gjergji dhe besimtarët katolikë i uroi edhe myftiu i Kosovës Naim Tërnava.

“I nderuar ipeshkv. Në këtë ditë feste, duke ju uruar ngrohtësi e lumturi juve dhe besimtarëve tuaj edhe njëherë shpreh përkushtimin e Bashkësisë Islame të Kosovës për të kultivuar mirëkuptimin, paqen, dashurinë e vëllazërinë si vlera të pacenuara të populli tonë,” thuhet në urimin e myftiut Tërnava.