Objekti ku do të vendoset Njësia e Urgjencës e QKMF-së - Foto: Komuna e Pejës

Urgjenca e QKMF-së së Pejës Bëhet me Objekt të Përhershëm

Njësia e Urgjencës e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) në Pejë më në fund do të bëhet me objektin e saj të përhershëm.

Kështi ka thënë për KALLXO.com drejtori për Shëndetësi i Komunës së Pejës, Petrit Loci.

E zhvendosur herë në një pjesë herë në pjesën tjetër të qytetit, Njësia e Urgjencës, sipas Locit, do të fillojë punën në fund të muajit shtator në objektin e Qendrës për Punë Sociale pas përfundimit të renovimit të tij.

Aktualisht, Urgjenca është në Qendrën e Mjekësisë Familjare (QMF) nr. 3, në lagjen “Karagaç”.

Aty është e vendosur që nga muaji shkurt, kur për shkak të renovimeve është detyruar të largohet nga QMF -1.

“Njësia e Urgjencës për katër vite ka shfrytëzuar hapësirat e QMF-1 në objektin e QKMF-së dhe në muajin shkurt është zhvendosur përkohësisht në QMF-3 (Karagaç) deri në përgatitjen e një objekti të veçantë për Njësinë e Urgjencës”, tha drejtori Loci.

Drejtori i Shëndetësisë tregon se kjo Njësi që nga themelimi i saj ka qenë e vendosur në një objekt që i ka takuar asaj, por këtë objekt qeverisja lokale e pasluftës ia ka falur Qendrës së Shëndetit Mendor dhe nga ajo kohë Njësia e Urgjencës ka funksionuar në tri objekte të ndryshme.

Ndërsa Qendra për Punë Sociale do të vendoset në ish -zyrat e Arsimit në vendin e quajtur “Soliteri”.

Ky propozim i Drejtorisë për Shëndetësi në parim është aprovuar dhe pritet që kryetari Gazmend Muhaxheri ta procedojë më tutje.