Gjykim per vrasje te rende ndaj Skender Berisha - Prizren
Urdhërohet super-ekspertizë ndaj të akuzuarit për vrasje të rëndë në prani të Policisë
Mbrojtja e Skender Berishës, i akuzuar për vrasje të rëndë nw Arbanë të Prizrenit, kërkoi sot nga trupi gjykues i përbërë nga Skender Çoçaj kryetar, dhe Teuta Krusha e Kymete Kicaj anëtarë që të akuzuarit t`i bëhet një superekspertizë. Kjo kërkesë e mbrojtjes erdhi pasi dy ekspertizat e kryera deri më tani janë në kundërshtim me njëra tjetrën.
Avokati i të akuzuarit Skender Berisha, Et`hem Rugova, meqenëse janë dy ekspertiza në kundërthënie me njëra tjetrën dhe aspak të ngjashme, i propozoi trupit gjykues që të urdhërohet për një superekspertizë nga Instituti i Psikiatrisë Forenzike pranë QKUK-së, për të akuzuarin Skender Berisha.
Ekspertiza e parë është e datës 08.08.2018, ndërsa ekspertiza e dytë është e datës 26.10.2018, të dy këto ekspertiza të punuara nga mjekët psikiatër – specialist pranë Institutit të Psikiatrisë Forenzike.
Propozimin e të mbrojtësit nuk kundërshtoi prokurori i shtetit Isuf Sadiku, prokuror nga Prokuroria e Gjilanit, i cili vetëm për këtë seancë zëvendësoi prokurorin Arben Ismajli, i cili e përfaqëson këtë lëndë, kjo për arsye se gjatë zhvillimit të gjykimit me kërkesë të palës së dëmtuar ishte përjashtuar prokuroria e Prizrenit nga kjo çështje.
Prokurori Isuf Sadiku deklaroi se ”… nga aspekti profesional nuk e kundërshtoi propozimin e mbrojtësit, edhe pse ekspertiza e sapo paraqitur para nesh, është e gjitha shumë e qartë, dhe nuk ka asgjë kontestuese, për të njëjtën ekspertizë nuk kemi asnjë vërejtje”, tha ai.
Trupi gjykues meqenëse edhe prokurori i shtetit nuk e kundërshtoi propozimin e mbrojtësit, vendosën që për të akuzuarin Skender Berisha që bëhet superekspertizë nga Instituti i Psikiatrisë Forenzike, për përcaktimin e gjendjes së të akuzuarit, raporton KALLXO.com.
Nën këto rrethana trupi gjykues nuk caktoi datë për seancën e radhës, përderisa ta pranojnë raportin e super-ekspertizës për të cilin fillimisht trupi gjykues do të lëshojë urdhër të veçantë, e pas pranimit të raportit të super-ekspertizës të gjitha palët do të njoftohen me këtë raport dhe do të njoftohen për seancat e radhës.
KALLXO.com në vazhdimësi ka raportuar për vrasjen e rëndë të ndodhur në Lagjen Arbana në Prizren.
Të gjitha shkrimet për vrasjen rëndë të ndodhur në prani të Policisë, mund t`i gjeni në këtë LINK.