Arkiv Milan Radoiçiq, zëvendëspresident i Listës Serbe takohet me kryeministrin e Kosvës Ramush Haradinaj në korrik 2018. Foto: Zyra e Kryeministrit të Kosovës

Urdhërarrest ndërkombëtar për mikun e kryeministrit Haradinaj, Milan Radoiçiq

KALLXO.com merr vesh se Policia është në kërkim të Milan Radoiçiqit.

Prokurori Special Sylë Hoxha ka deklaruar për KALLXO.com se me kërkesën e Prokurorisë, Gjykata e Prishtinës ka lëshuar urdhër arrest për arrestimin e Milan Radoiçiq të dyshuarit për vrasjen e Oliver Ivanoviqit.

Radoiçiq mund të arrestohet në momentin kur largohet nga Serbia, vendin ku i njëti besohet se qëndron që nga arratisja e tij nga Kosova.

Radoiçiq është nënkryetar i listës Serbe dhe disa herë ishte pritur në zyrën e Kryeministrit Haradinaj.

Më 23 nëntor të vitit të kaluar Policia e Kosovës zhvilloi një operacion të kërkimit në veri të vendit me qëllim të arrestimit të Milan Radoiçiq i cili nuk u gjet në vendqëndrimin e tij ndërsa gjatë këtij operacioni u arrestuan katër persona.

Lideri i Nismës Qytetare “Liri, Demokraci, Drejtësi”, Oliver Ivanoviq, ishte qëlluar për vdekje mëngjesin e 16 janarit të vitit 2018.

Që nga ajo kohë, Prokuroria Speciale e Kosovës ka arritur t’i dëgjojë 40 dëshmitarë dhe t’i identifikoje tre persona që dyshohet se janë të përfshirë në vrasjen e tij.

Nedelkjo Spasojeviq, Marko Rosiq dhe Dragisha Markoviq, janë personat ndaj të cilëve në dhjetor 2018 Gjykata Themelore në Prishtinë e caktoi masën e paraburgimit

Bëjmë të ditur se Milan Radoiçiç, është intervistuar nga organet shtetërore të Serbisë, pa kërkesë të Prokurorisë së Shtetit të Republikës së Kosovës, ndaj të cilit është nxjerrë aktvendim për fillimin e hetimeve, ‘edhe përkundër faktit se në takimet zyrtare mes policisë së Kosovës dhe Serbisë, policia e  Serbisë ka deklaruar se nuk e njeh të pandehurin Milan Radoiçiq, me arsyetimin se i njëjti është  shtetas i Republikës së Kosovës’.

Madje Prokuroria e Shtetit e Kosovës kishte reaguar ndaj një deklarate të Ministres  së Drejtësisë të Republikës së Serbisë, Nela Kuburoviq e cila kishte thënë se lidhur me hetimin e vrasjes së politikanit Oliver Ivanoviq, Prishtina ka refuzuar të kryejë veprimet hetimore bashkë me Beogradin.

“Prokuroria e Shtetit, pas rastit të ndodhur, i ka paraqitur disa kërkesa organeve kompetente të Republikës së Serbisë, për bashkëpunim juridik ndërkombëtar, por deri më tani kemi pranuar vetëm disa informacione, të cilat nuk janë thelbësore për ndriçimin e rastit, pasi ende nuk kemi marrë përgjigje lidhur me IMEI, SMS, hartografi, si dhe hyrje/dalje”, thuhej në njoftimin e Prokurorisë e Shtetit.