Foto: Arkiv

Urdhër Arrest për Rastin e Arratisjes nga QKUK

Kryetari i trupit gjykues Shashivar Hoti vendosi që ta ndërpresë seancën në rastin ku i dyshuar është ish kryetari i komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku.

Lushtaku në këtë rast akuzohet për arratisjen nga QKUK në pranverë të vitit 2014.

Arsye e ndërprerjes së seancës ishte mungesa e njërit nga të akuzuarit.

“Pasi që mungon i akuzuari Skender Tahiri edhe pse i njëjti ka qenë në dijeni për datën dhe orën e caktimit të kësaj seance gjyqësore, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës mungesa e një të akuzuari është pengesë për të vazhduar procesin gjyqësor”, tha Hoti.

Por ai tha se nuk do të lejojë “shtyrje të pakufishme” të seancave ndërsa paralajmëroi urdhër arrest ndaj Tahirit.

“Ne nuk do të lejojmë shtyrje të pakufishme të këtyre lendeve prandaj ndaj të pandehurit do të lëshojmë urdheresë për sjelljen e tij me dhunë për sencën e radhës dhe nëse është e nevojshme do të përdorim edhe masat e tjera”, tha gjykatësi Hoti.

Kurse prokurori i rastit propozoi që të bëhej pak pauzë dhe të kërkohej nga policia që të akuzuarin ta sjellë me dhunë në gjykatë, por një kërkesë e tillë u refuzua nga kryetari i trupit gjykues.

Ai tha se është e paarsyeshme të pritej nëse policia do ta sjellë të akuzuarin në gjykatë për shkak se “shumica e të akuzuarve vijnë nga treva të ndryshme dhe kjo pritje do të ishte e pa arsyeshme”.

“Mirëpo ne ua tërheqim vërejtjen palëve sepse shtyrje të pafundme nuk do të ketë dhe gjykata do t’i ndërrmarrë të gjitha masat për të siguruar prezencën e të akuzuarve në këtë shqyrtim gjyqësor”, tha kryetari i trupit gjykues Shashivar Hoti.

Seanca e radhës do të mbahet më 6 dhjetor.