Urdhër-Arrest për Dëshmitarin në Gjykimin për Vrasje

Dëshmitari i parë, Enver Ibrahimi, me profesion mjek, tha para trupit gjykues se për rastin e vrasjes kishte dëgjuar në televizion teksa ishte në ordinancën e tij.

Ai tha se të dy palët i ka njohur ngase i kishte pasur pacientë.

Ibrahimi tregoi se në datën kritike, në orët e pasditës në ordinancën e tij kishte qenë bashkëshortja e të ndjerit Hekuran Morina, ndërsa për të tjerat tha se nuk di asgjë.

Ndërsa, dëshmitari tjetër Shefki Kurtaj tregoi se në natën kritike kishte shkuar për darkë me kolegë dhe se në momentin kur kishin ndodhur të shtënat ai kishte qenë në një barnatore aty afër.

“Jo nuk kam parë asgjë, nga qebaptorja ‘Hyska’ kam hyrë në barnatore për të marrë një kapsulë për dhëmb, kam dëgjuar krisma dhe kur kam dalë kam parë guzhvë, ka pasë shumë persona, edhe kemi shkuar për t’i dhënë ndihmë. Nuk e kam njohur askënd, nuk e kam parë askënd duke gjuajtur vetëm se nga barnatorja kam dëgjuar krisma. E kam parë një veturë xhip, ngjyrë hiri ka qenë”, tha dëshmitari.

Dëshmitari tha se e kishte parë veturën “BMW X5” që ka qenë e kthyer në drejtim të Suharekës ndërsa personat nuk i ka parë.

Por, dëshmitari Kurtaj u ballafaqua me dëshminë e tij të dhënë në Prokurori, ku kishte deklaruar se i kishte parë 4 persona të cilët kishin hipur në veturën “BMW X5” dhe duke u larguar nga brenda veturës kishin vazhduar të shtinin në ajër.

Shefki Kurtaj tha para trupit gjykues se nuk kishte dëshmuar një gjë të tillë.

Në seancën e sotme avokatit Ndrec Doda nga trupi gjykues iu aprovua propozimi për dëgjimin e tre dëshmitarëve, të cilët do të dëshmojnë për ditën kritike.

Ndërsa, po ashtu edhe prokurorit special Haki Gecaj nga trupi gjykues iu aprovua propozimi për dëgjimin e ekspertit të mjekësisë ligjore.

Seanca e radhës u caktua për 15 gusht 2017.

Në këtë rast, Bernard Përlazri akuzohet nga Prokuroria për vrasje të rëndë në bashkëkryerje.

Përlazri akuzohet se më 7 shtator 2015 rreth orës 20:28 minuta në lagjen “Bazhderhana”, në bashkëkryerje me të akuzuarit e tjerë Leonard Përlazri dhe Ambroz Përlazri (nipat e tij, të cilët gjenden në arrati), të shtyrë nga hakmarrja e paskrupullt, për shkak se kundër tij ishte duke u zhvilluar procedura penale e iniciuar nga Hekuran Morina, i shkaktuan lëndime Morinës.

Këto lëndime i ishin shkaktuar Hekuran Morinës me arsyetimin se nuk po e paguante shumën prej 70 mijë eurove, të cilat kinse Beg Morina, babai i Hekuranit, ia kishte marrë borxh Bernard Përlazrit.

Lëndimet Hekuran Morinës iu shkaktuan katër ditë pasi Përlazri u lirua nga paraburgimi ku qëndroi nga marsi deri në shtator 2015.

“Pas katër ditëve të ndërprerjes së paraburgimit dhe pas marrëveshjes paraprake me të pandehurit e tjerë, të armatosur, me veturën e markës “BMW X5’ pasi i përcjellin lëvizjet e të dëmtuarve të cilët ishin me makinë Hekuran e Fadil Morina si dhe miku i tyre Besim Hoti, të pandehurit pas drejtimit të disa fyerjeve dhe sharjeve me fjalët ‘Ndal bre robt ti q…’ fillojnë të qëllojnë me armë në drejtim të të dëmtuarve”, thuhet në aktakuzë.

Hekuran Morina pastaj vdiq gjatë rrugës për në spital.

Lëndime të rënda mori edhe Fadil Morina, i cili u godit me tre plumba, po ashtu me një plumb ishte goditur edhe Besim Hoti.

Gjatë këtyre të shtënave u vu në rrezik edhe jeta e qytetarit Shaip Beqiraj, ashtu që tani i ndjeri Hekuran Morina dhe i pandehuri Fadil Morina duke vepruar në zmbrapsje të sulmit, kanë gjuajtur me armë në drejtim të të pandehurve dhe e kanë goditur qytetarin Shaip Beqiraj duke i shkaktuar lëndime të lehta trupore.

I akuzuarit Bernard Përlazri, po ashtu akuzohet edhe për veprën penale të armëmbajtjes pa leje.

KALLXO.com ka shkruar edhe më herët për gjykimin e Përlazrit.