Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Uran Ismaili: Qytetarët e Kosovës blejnë barna më shtrenjtë se qytetarët e Shqipërisë, Malit të Zi e Maqedonisë së Veriut

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Uran Ismaili në seancën e Kuvendit të Kosovës ka thënë se qytetarët vazhdojnë të blejnë barna shumë më shtrenjte sesa qytetarët e vendeve të rajonit.

“Qytetarët e Kosovës ende blejnë barna më shtrenjtë në barnatoret e tyre, sesa qytetarët në Shqipëri, Maqedoni e Mal të Zi, për barna të njëjta”, tha ai.

Ismaili poashtu tha se edhe brenda vendit ka dallim në çmimet e barnave nga barnatorja në barnatore.

“Fatkeqësisht, qytetarët e Kosovës i blejnë barnat e njëjta, me çmime të ndryshme ditën, me çmime të ndryshme natën. Çmimet e barnave kanë çmim të ndryshëm në qytet, e ndryshe në fshat”, tha ai.

Ish-ministri i shëndetësisë kërkoi që çështja e çmimit të barnave në Kosovë të rregullohet me ligj.

“Ligji për rregullimin e çmimet të barnave duhet të rregullohet. Për vite më radhë, Kosova ka blerë më shumë se 6 milionë euro më shtrenjte barna spitalore. Qytetarët e Kosovës kanë paguar 10 milionë euro më shtrenjtë për blere të barnave në vit”, tha Ismaili.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia tha se çështja e çmimit të barnave do të rregullohet një herë e përgjithmonë me ligj, i cili sipas Vitisë është prioritet i ministrisë që ai drejton.

“Pajtohem plotësisht se çështja e rregullimit të çmimit të barnave është një nga çështjet kryesore për të mundësuar edhe për të parandaluar shpenzimet nga xhepi i qytetarëve që kanë ndodhur tash e disa vite. Qeveria dhe Ministria e Shëndetësisë nga fillimi e ka futur në agjendë këtë ligj dhe kjo do të rregullohet një herë e përgjithmonë”, tha Vitia në Kuvend.

KALLXO.com ka raportuar të enjten se si insitutcionet shëndetësore në Kosovë kanë mungesë të insulinave dhe që qytetarët po obligohet t’i blejnë vet këtë lloj bari që është shumë i rëndësishëm për personat diabetik.

Institucionet shëndetësore në Kosovë pa insulina, qytetarët detyrohen të gjejnë zgjidhje jashtë kufijve