UP vendos për nivelin e gjuhës së huaj që do t’u kërkohet kandidatëve për master e doktoratë

Senati i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” në mbledhjen e 47-të mes tjerash diskutoi dhe miratoi programet që do të dërgohen në Agjencionin e Kosovës për Akreditim.

Prorektori për mësim dhe çështje për studentë, Hysen Bytyqi tha se për Fakultetin Filologjik do të dërgohen për akreditim tri programe të studimeve Master. Bëhet fjalë për Gjuhë dhe letërsi frënge, Gjuhë dhe letërsi turke, si dhe Studime orientale.

“Fakulteti i Bujqësisë dhe Veterinarisë kanë kërkuar që t’u akreditohet programi Bujqësi urbane.”, ka shtuar ai.

Ndërkaq, dekani i Fakultetit Juridik, Haxhi Gashi kërkoi nga menaxhmenti që të bëhet modifikimi i disa programeve.

Senati vendosi që të ratifikojë punimet e doktoratës së kandidatëve nga njësitë e paraqitura akademike, gjithashtu miratoi temat dhe mentorët e kandidatëve të paraqitur nga Fakulteti Filologjik, Fakulteti i Mjekësisë dhe nga Fakulteti i Shkencave Matematike Natyrore.

U diskutua edhe për udhëzimin administrativ për gjuhët e huaja në programet e studimeve në master dhe doktoratë, i cili kërkon që kandidatët të kenë njohuri nga ndonjëra prej pesë gjuhëve të huaja, si ajo angleze, frënge, gjermane, italiane dhe spanjishte.

Prorektori Hysen Bytyqi tha se UP-së i është kërkuar nga qeveria që të vendosë për nivelin e gjuhës që duhet të zotërojnë kandidatët për t’u regjistruar në këto dy nivele.

Andaj pas diskutimeve të shumta senatorët vendosën që për njohje të gjuhës së huaj në nivelin master të jetë niveli A2 dhe për doktoratë të jetë niveli B1.

Pavarësisht kërkesës së qeverisë që kandidatët së pari të testohen nëpër qendra të gjuhëve të huaja dhe më pas të pranohen në master apo doktoratë në UP, dekani i Fakultetit Filozofik Bujar Dugolli kundërshtoi këtë vendim duke thënë se ky vendim po e përjashton Fakultetin e Filologjisë i cili është i thirrur për këso lloj testimesh për gjuhë të huaja.

“Të favorizohen kompanitë, unë mendoj që kjo do ta shndërrojë në një lloj pazari, prandaj duhet t’i lihet universitetit. Mendoj që nuk duhet të jetë obligative sepse ligji i arsimt të lartë dhe ligjet e tjera nuk lejojnë vendosjen e kritereve eliminuese. Frika jonë është qe mund të përfundojmë pa studentë për master apo doktoratë.”, ka thënë Dugolli.

Diskutime të ashpra mes senatorëve u ngritën gjatë shqyrtimit të rasteve që janë kthyer në senat me rekomandimin e Komisionit të Ankesave dhe Parashtresave, prandaj edhe u mor vendim që shqyrtimi i këtij raporti të bëhet në mbledhjen e ardhshme.

Dekani i FSHMN-së, Tahir Arbneshi kërkoi që ky komision të shkarkohet sepse sipas tij, po shkelin procedurat dhe kanë laramani vendimesh në raste të njëjta.

“Ai që nuk e ka pas askënd brenda nuk i kanë jep të drejtë, e ai që e ka pas dikënd brenda i kanë jep të drejtë. Fakulteti më i dëmtuar është ai i Shkencave. Pra thirrja jem është komisioni te shpia.”, deklaroi Arbneshi.