Universiteti Veror i Prishtinës mirëpret 300 studentë vendorë dhe ndërkombëtarë

Studentë nga vendi, rajoni dhe bota mblidhen sivjet në edicionin e 18-të të Universitetit Veror Ndërkombëtar të Prishtinës.

Drejtoresha e Universitetit Veror Ndërkombëtar, Lumnije Bajrami, për KALLXO.com dha detaje të organizimit të sivjetshëm

“Këtë edicion fatin kanë pasur që të zgjedhen 300 studentë. Këtë vit ofrojmë 15 kurse nga lëmi të ndryshme, kur është bërë përzgjedhja nga komisioni kanë pasur parasysh që të mbulojnë të gjitha njësitë akademike. Mireëpo mes tyre ka edhe ndonjë kurs ndërdisiplinor që do të mund t’iu shërbejë studentëve të dy fakulteteve të ndryshme”, tha Bajrami.

Bajrami tregoi foli lidhur me ligjëruesit e këtij edicioni dhe karakteristikat e këtij viti.

“Numri i profesorëve ndërkombëtarë është 15, por edhe numri i profesorëve vendor është 15 sepse secilin kurs do ta mbajë një profesor ndërkombëtar dhe një profesor vendor. Të gjitha kurset mbahen në gjuhën angleze, mësimi do të mbahet cdo ditë nga ora 9 deri në ora 12. Varësisht prej kursit do të ketë edhe aktivitete të tjera shtesë, P.sh. tek kursi i arkeologjisë kanë punë në terren, kursi i muzikës ka ushtrimet e veta, kurset e shkencave politike kanë vizita në institucione.”, shtoi ajo.

Pjesëmarrësit e Universitetit Veror vijnë nga 30 vende të ndryshme, pra ka studentë nga rajoni, shtetet e BE-së, mirëpo ka studentë edhe nga vende më të largëta siç janë Argjentina, Egjipti dhe Jordania.

Drejtoresha e UVN-së, për Kallxo.com tregoi se studentët gjatë fundjavës do të mund të vizitojnë vende të ndryshme të Kosovës.

Notat me të cilat do të vlerësohen studentët, ajo thotë se janë të vlefshme edhe për unversitetet ku ata studiojnë dhe pasi të kthehen do të mund t’i transferojnë.

“Ekskurzioni do të mbahet gjatë fundjavëve, janë dy destinacione. Me datën 20 korrik është edhe ceremonia e përfundimit, ku studentët i marrin certifikatat dhe i nënshtrohen një testi varësisht prej rezultatit që e tregojnë vlerësohen me notë dhe kur kthehen studentët në shtëpi munden me i transferu, e njëjta vlen edhe për studentët tanë. Do t’i kemi katër punëtori të ndryshme, si dhe një forum diskutimi.”, përfundoi Bajrami.

Ndërsa, sa i përket numrit të studentëve ndërkombëtar nga viti i kaluar dhe tani, Lumnije Bajrami theksoi se dallimi në numër varet zakonisht nga struktura e vendeve nga të cilët aplikojnë studentët.

Universiteti Veror Ndërkombëtar i Prishtinës ka filluar sot me 9 korrik dhe do të zgjasë deri me 20 korrik të ketij viti.