Universiteti i Mitrovicës

Universiteti i Mitrovicës nuk hap konkurs për studentë, pret vendimin për akreditim

Universiteti i Mitrovicës “Isa Boletini”, sot ka njoftuar të interesuarit për studime në këtë universitet se hapja e konkursit për studentët potencial, do të bëhet pas vendimit të Këshillit Shtetëror të Cilësisë.

Në njoftimin e tyre thuhet se, hapja e konkursit për studentë të ri do të bëhet nëse marrin akreditimin institucional nga ky këshill, i cili funksionon në kuadër të Agjencisë së Kosovës për Akreditim.

“Universiteti i Mitrovicës “Isa Boletini” është në pritje të vendimit që do të merret në Këshillin Shtetëror për Cilësi sa i përket akreditimit institucional në mënyre që të mund të shpall konkursin për pranimin e studentëve në vitin akademik 2019/20. Këshillin Shtetëror për Cilësi është në proces të vlerësimit dhe varësisht prej vendimit do të procedohet tutje. Ju faleminderit për mirëkuptim!”, është shkruar në njoftimin e universitetit.

KALLXO.com kishte raportuar se ekspertet ndërkombëtare, të cilat ishin angazhuar nga Agjencia e Kosovës për Akreditim, për të analizuar dhe vlerësuar Universitetin publik të Mitrovicës, kishin konstatuar dhe rekomanduar që ky universitet të mos marrë akreditim institucional, për shkak të parregullsive në sistemin udhëheqës dhe menaxherial.

Nëse ky raport do të miratohet dhe votohet nga bordi i Këshillit Shtetëror të Cilësisë(KSHC), ky universitet nuk do të mund të regjistrojë studentë të rinj në vitin e ardhshëm akademik 2019/2020.

Vlerësimi institucional nga ana e ekspertëve, është i rregulluar me Ligjin për Arsimin e Lartë në Kosovë dhe me Udhëzimin Administrativ për Akreditimin e Institucioneve të Arsimit të Lartë.

https://kallxo.com/gjnk/cfare-gjeten-ne-mitrovice-ekspertet-qe-rekomanduan-mosakreditimin-e-universitetit/