Universiteti i Mbrojtjes në Washington mbështet Ushtrinë e Kosovës

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli gjatë vizitës së tij në ShBA ka vizituar Universitetin Kombëtar të Mbrojtjes, që është duke ngritur profesionalisht oficerë të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe të Policisë së Kosovës.

“Universiteti Kombëtar i Mbrojtjes në Uashington është një nga institucionet që po e mbështetë ngritjen profesionale për oficerët e Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe Policisë së Kosovës. Takova në këtë universitet, Vice Admiralin Fritz Roege, të cilin e falënderova për përkrahjen. Me të dhe kolegët e tij diskutuam për mbështetjen në të ardhmen për institucionet tona të sigurisë, në veçanti Ushtrisë së Kosovës”, ka shkruar Veseli në një postim në profilin e tij në “Facebook”.

Ai tha se ndjehet shumë i lumtur që kjo mbështetje e ShBA-së nuk do të mungojë.

“Gjate vizitës në këtë Universitet takova edhe nënkolonelin e FSK-së, Enver Voca si dhe nënkolonelin e Policisë së Kosovës, Luan Keka të cilët po kryejnë studime në ketë universitet. Edhe shumë të tjerë do të vijnë falë partneritetit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, tha Veseli.

Ndryshe, Paralmenti i Kosovës me 14 dhjetor do të votojë për transforimin e FSK-së në Ushtri të Kosovës.