Foto: Kallxo.com

Universitetet e Francës prezantojnë mundësitë e studimit për studentët nga Kosova

U hap edicioni i parë i Panairit të edukimit “Studioni në Francë” i cili u mundëson të rinjve studime në nivelet bachelor, master e doktoraturë në Francë.

Ky panair organizohet nga Qendra për Zhvillimin e Karrierës, Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” dhe Ambasada e Francës në Kosovë.

Rektori i Universitetit të Prishtinës, Marjan Dema tha se studimet semestrale jashtë vendit u mundëson studenteve që kur të kthehen në Kosovë të kontribuojnë në vendlindje.

“Synimi i menaxhmentit është rritja e cilësisë dhe ndërtimi i urave të komunikimit me universitete kredibile, me qëllim ofrimin e mundësive të reja në zhvillimin profesional. Panairi i edukimit që po hapim sot është një ndërmarrësi për zhvillim të qendrës së karrierës që ka për qëllim informimin e drejtë për mundësi studimi në universitet ndërkombëtare. Qendra e karrierës është duke bërë një punë të mirë edhe në promovimin e vullnetarizmit”, tha Dema.

Sesilia Bisberg, përfaqësuese e Ambasadës së Francës, ka thënë se kjo është një mundësi kontakti me universitete me qëllim që t’i shohin mundësitë e studimit në shtetin francez.

“Në kuadër të politikës së saj, Franca është vendi i parë jo anglofon që pret studentët tuaj në vendin e saj. 3500 institucione universitare publike e private ofrojnë mësimdhënie kualitative në të gjitha nivelet e disiplinat. Më shumë se 300 mijë studentë ndjekin studimet në Francë çka e bën Francën vendin e katër për mikpritjen e studentëve të huaj”, tha ajo.

Drejtori i Bibliotekës Kombëtare, Fazli Gajraku kërkoi nga të rinjtë që ta shfrytëzojnë këtë rast për t’u informuar me mundësitë për studime në Francë.

Foto: Kallxo.com

“Edukimi është një  nga fushat më interes të vendit tonë. Qëllimi i panairit është vendosja në kontakt e studenteve, të diplomuarve dhe stafit akademik me institucionet frankofone kredibile. Ne synojmë të konkurrojmë me rininë tonë në botë”, tha ai.

Në këtë panair 11 universitete paraqesin programet e tyre, siç janë; Sciences Po, Université Lyon 1, Institut Universitaire de Technologie Lyon, Université de Caen,National Institute of Applied Sciences of Rouen (INSA),EPITECH, Agence Universitaire de la Francophonie (AUF), Business school of Troyes, Institut Universitaire de Technologie of Bourg en Bresse, École supérieure de la Francophonie pour l’administration et le management (ESFAM), Mutuelle Generale Education Nationale (MGEN), Alliance Française de Pristina.