Përfaqësuesi i përhershëm i UNDP-së, Andrew Russell - Foto: KALLXO.com

UNDP Lanson Raportin e Zhvillimit Njerëzor në Kosovë

Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) lansoi raportin e zhvillimit njerëzor në Kosovë dhe raportin ndërrajonal të zhvillimit njerëzor.

Ky raport i titulluar “Tregu i punës në funksion të grave dhe të rinjve” ka për qëllim që të vërë në pah papunësinë dhe pasivitetin e përhapur veçanërisht te gratë dhe të rinjtë.

Përfaqësuesi i përhershëm i UNDP-së, Andrew Russell, tha se raporti në përgjithësi ka të bëjë me tregun e punës në funksion të grave dhe të rinjve.

“Raporti i parë siç e përmenda ka të bëjë me punësimet posaçërisht me tregun e punës në funksion të grave dhe të rinjve”, tha Rusell.

Ndërsa Ben Slay, këshilltar i lartë i UNDP-së, tha se në Kosovë shkalla e punësimit është shumë e vogël ndërsa e papunësisë shumë e lartë.

“Të rinjtë sidomos kanë problem dhe nuk kanë edukim dhe trajnim. Këto çështje janë më të rëndësishme për femrat. Më shumë se 1/3 e femrave nuk janë të kyçura në tregun e punë”, tha Slay.

Ai shtoi se raporti i fundit i zhvillimit global ka vënë pikërisht punësimin si pikë qendrore.

“Raporti i fundit i zhvillimit global e ka vendosur çështjen e punësimit në qendër të agjendës për zhvillim. Përveç krijimit të vendeve më të mira të punës duhet të fokusohemi edhe në kujdesin për vendet e punës, po ashtu edhe në punën kreative dhe vullnetare që ta kuptojmë në mënyrë të përgjithshme se si njerëzit ndërlidhen me punën dhe raporti kërkon politika që rrisin jo vetëm punësimin por edhe prodhimin dhe shkathtësinë e punëtorëve, duke siguruar edhe mirëqenie dhe sigurinë e punonjësve”, tha Slay.

Nita Hajzeraj, zëvendësministre e Punës dhe Mirëqenies Sociale tha se qëllimi kryesor i Qeverisë, konkretisht i Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, është që të krijojë politika të punësimit, të cilat janë bazuar në analizat e tregut të punës dhe zhvillohen në bashkëpunim të ngushtë edhe me Qeverinë, ekspertët dhe me shoqërinë civile.

Hajzeraj shtoi se është ndjenjë e mirë kur sheh se UNDP-ja ka fokusuar punësimin e grave dhe të të rinjve në raportin e fundit.

“Jemi te lumtur që Raporti i zhvillimit njerëzor për këtë vit i UNDP-së është i fokusuar në këtë temë, pra në punësimin e grave, kryesisht të të rinjve”, shtoi ajo.

Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Valdet Hoxha, përgëzoi UNDP-në për kontributin e saj në Kosovë në përgjithësi, por për MPB-në në veçanti.

Kurse, ambasadorja e Finlandës, Anne Huhtamaki, tha se ky raport është një ndër punët më të shkëlqyera që ka bërë UNDP për disa vite.

“Është informatë që ne e besojmë dhe se është shumë e dobishme për ne”, tha Huhtamaki.

Ajo shtoi se puna nuk është vetëm fitim i parave por sipas saj mund të jesh edhe pjesë e një shoqërie.