Punimet arkeologjike në Ulpianë - Foto: KALLXO.com

Ulpiana Pritet të Shpallet Park Arkeologjik

Ulpiana pritet të shpallet park arkeologjik nga fundi i vjeshtës, u tha sot gjatë një vizite që ministri i Kulturës, Kujtim Shala, i bëri qytetit antik.

Udhëheqësi i punimeve në Ulpianë, Milot Berisha, tha se fokusi i tyre është që sa më shpejt ky lokalitet të shpallet park arkeologjik.

“Ne jemi shumë të nderuar por kemi një barrë shumë të madhe sepse është një proces i ndërlikuar edhe po shpresojmë që diku kah fundi i vjeshtës nëse të gjitha kushtet janë optimale ne të përfundojmë vendosjen e shtigjeve për vizitorë, vendosjen e tabelave informative në 3 gjuhë dhe të rregullojmë ambientet tjera të infrastrukturës bazike”, tha Berisha.

Berisha tha që po kujdesen që këtyre monumenteve t’ua zgjasin jetën.

“Projekti i vitit 2016 në Ulpianë si synim e ka konservimin, restaurimin përkatësisht konsolidimin e të gjitha strukturave që ne i kemi zbulu ndër vite, proces shumë i ndërlikuar që t’ia zgjasim jetën këtyre monumenteve”, shtoi ai.

Ndërsa, ministri i Kulturës, Kujtim Shala, tha se Ulpiana e meriton të jetë parku i parë arkeologjik në Kosovë.

“Punimet në Ulpianë janë në një fazë tepër të rëndësishme, meqë ky lokalitet me finalizimin e kësaj pjese do të ndërrojë edhe statusin nga një lokalitet arkeologjik do të kthehet në një park arkeologjik që do të jetë parku i parë në Kosovë”, tha Shala.

Kurse, drejtori i Institutit Arkeologjik, Enver Rexha, tha se po punojnë intensivisht që Ulpianën ta shndërrojnë në park arkeologjik.

“Arkeologjia për standardin tonë mund të jetë një shkencë e shtrenjtë… Punon-punon mirëpo rezultatet shihen pak. Por, për fat të mirë këtu po shihen rezultatet tani… Ka deri 10 arkeologë të përfshirë brenda sezonit. Po punojmë që këtë vit t’i japim statutin e një parku arkeologjik”, tha ai.

Gjatë kësaj vizite ata bënë të ditur se po përgatitin një materiali promovues për këtë lokalitet, një tip katalogu apo guide, ku do të paraqiten fazat prej fillimit dhe deri në ditët e sotme të evoluimit të këtij lokaliteti arkeologjik.