Ceremonia e lëshimit në funksion të ujësjellësit në Polac – Foto: KALLXO.com

Ujësjellësi i Ri i Lë Pa Ujë Banorët e Polacit

I kontaktuar nga KALLXO.com, Isuf Hoti, kryetar i fshatit Polac, tha se po kanë vazhdimisht probleme me ujin e pijshëm.

Për këtë Hoti fajin ia hedh kompanisë që e ka shtrirë rrjetin e ujësjellësit. Ai thotë se kompania nuk i kryer punët si duhet.

Ndërsa zëdhënësi i Komunës së Skenderajt, Hajriz Koci, tha se janë në dijeni për disa defekte në ujësjellësin e Polacit dhe se po punohet për sanimin e tyre.

“Menjëeherë pas lëshimit në funksion janë evidentuar disa defekte teknike. Disa prej tyre janë shkaktuar nga banorët gjatë punimeve në ndërtimin e objekte ose punimeve të tjera, ndersa defektet e tjerat kanë qenë të natyrës së vogël teknike. Këto defekte tashmë janë në fazën finale të evitimit nga kompania punëkryese”, tha zëdhënësi Koci për KALLXO.com.

Po ashtu, zëdhënësi i Komunës theksoi se banorët e Polacit po përballen me ndërprerje të furnizimit me ujë edhe për shkak të mungesës së sasisë së mjaftueshme të ujit nga Ujësjellësi i Mitrovicës në këtë stinë kur konsumi është shumë i madh.

Ndryshe, ujësjellësi në Polac është lëshuar në përdorim para një muaji e gjysmë.

Në ceremoninë e vënies në funksion të ujësjellësit të pranishëm kanë qenë edhe nënkryetari i Komunës, Fadil Nura dhe drejtues të Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit Mitrovica.