Ujësjellësi njofton për arsyet e ndërprerjes së ujit në Prishtinë

Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” ka njoftuar konsumatorët se për shkak të një dëmtimi të një gypi janë detyruar të ndërpresin prodhimin e ujit nga Badovci.

“Njoftohen të gjithë konsumatorët që furnizohen me ujë të pijshëm nga sistemi i fabrikës së trajtimit të ujit Badoc, se para pak çastesh është dëmtuar edhe një gyp i ujit i çelikut me diametër fi 600 mm. Me këtë rast jemi detyruar të ndërpresim prodhimin e ujit nga fabrika e Badovcit deri në sanimin final të gypit”, thuhet në njoftim.

Sipas ujësjellësit, gypi në fjalë i cili furnizon një pjesë të madhe të kryeqytetit me ujë të pijshëm është dëmtuar nga kompania private, “Gerlica”, përgjatë punimeve në rrjetin e kanalizimit, në afërsi të gypit tjetër të ujit me diametër fi 600 mm që ka pëlcitur gjatë orëve të hershme të mëngjesit të ditës së sotme.

“Ekipe të shumta të departamentit teknik janë në dy vendet e ngjarjes duke tentuar që të sanojnë në kohë rekorde 2 gypat dhe që të dytë gypa të rëndësishëm magjistralë, që janë furnizuesit kryesore të një pjese goxha të madhe të Prishtinës me rrethinë”, thuhet në njoftim.

Ujësjellësi ka kërkuar mirëkuptim nga konsumatorët që furnizohen me ujë të pijshëm nga sistemi i Badovcit.

Përjashtim nga mungesa e ujit bën vetëm Qendra Klinike Universitare e Kosovës (QKUK).