Ujësjellësi Lë të Rrjedhë Ujin për 10 Muaj

Rruga ndodhet afër Hajvalisë, ndërsa banorët edhe pse tregojnë se disa herë kanë lajmëruar prishjen në qendrën e thirrjeve të Kompanisë së Ujësjellësit Rajonal “Prishtina”, sipas tyre ekipi i këtij institucioni nuk ka ndërmarrë asgjë.

Rastin e rrjedhjes së ujit e raportoi në KALLXO.com Kushtrim Fetahu, banor në Rrugën “Jamie Shea”.

“Aty rrjedh ujë i pijshëm gjatë gjithë kësaj kohe… Prishja tashmë ka më shumë se 10 muaj. Që nga fillimi që është vërejtur prishja kam raportuar prishjen disa herë në Qendrën e Thirrjeve të Ujësjellësit. Mbi 3 herë më janë marrë informacionet e mia, por askush nuk ka dalë në vendin e ngjarjes,” tha Fetahu.

IMG_7716

Kur ujësjellësi nuk ka reaguar, Fetahu tha se banorët e lagjes kanë kontaktuar me një mjeshtër për rregullimin e gypit që rrjedh, por sipas tij as mjeshtri nuk ka ndërhyrë, pasi ka thënë se në rrjetin e ujësjellësit nuk i lejohet intervenimi.

Arjeta Mjeku, zëdhënëse e ujësjellësit, pasi u kontaktua nga KALLXO.com, tha se sipas personit përgjegjës për mirëmbajtjen e rrjetit të ujësjellësit në atë zonë, deri më tani nuk ka pasur raportim të kësaj prishjeje.

“Sapo bisedova me personin përgjegjës të mirëmbajtjes së rrjetit të ujësjellësit për atë zonë dhe deri me tash nuk kemi ndonjë rast të lajmëruar në atë rrugë,” tha Mjeku.

Ajo më pas tregoi se ekipi ka dalë në terren dhe do ta rregullojë prishjen.

“Ekipi ka dalë në vendin e ngjarjes për sanim dhe besojmë që përfundon shpejt,” tha zëdhënësja e ujësjellësit.

Sipas Arjeta Mjekut, rrjetin ku është prishur gypi e kanë ndërtuar vetë banorët, e jo ujësjellësi, ndërsa rastet e tilla tha se po e dëmtojnë kompaninë.