Ujësjellësi Angazhon 50 Ekipe për Shkyçjen e Borxhlinjve

Ujësjellësi Rajonal “Prishtina” njofton të gjithë konsumatorët se nga muaji janar ka filluar masat ndëshkuese për të gjithë borxhlinjtë e shërbimeve të ujësjellësit dhe kanalizimit.

Sipas komunikatës së ujësjellësit, si masë e parë ndëshkuese është shkyçja nga sistemi i rrjetit të ujësjellësit, pasuar nga ndëshkime të tjera.

“Me shkyçje po përballet secili konsumator që ka dy e më shumë fatura të papaguara ndaj shërbimeve të ujësjellësit dhe kanalizimit”, thuhet në njoftimin e Ujësjellësit Rajonal “Prishtina”.

Për këtë aksion ujësjellësi ka angazhuar rreth 50 ekipe të shkyçjes duke  përfshirë edhe inspektorë.

“Në shkyçje janë të përfshira tetë komunat në të cilat operon KRU ‘Prishtina’ sh.a. si Prishtina, Fushë-Kosova, Obiliqi, Podujeva, Shtimja, Drenasi, Lipjani dhe Graçanica, me fshatra përreth”, thuhet në një njoftim për media.

KRU ”Prishtina” u bën thirrje të gjithë konsumatorëve që t’u përgjigjen pozitivisht të gjitha obligimeve financiare për shërbimet e ujësjellësit dhe kanalizimit, në mënyrë që të evitohen shkyçjet nga shërbimet, sepse, sipas ujësjellësit, shërbimet po bëhen më intensive çdo ditë e më shumë.

Ujësjellësi në komunikatë u kërkon edhe atyre që kanë përfituar nga Ligji për Faljen e Borxheve që të respektojnë kontratat për riprogramimin e borxhit dhe të paguajnë këstet e përcaktuara.

Nga 1 shkurti, sipas komunikatës së ujësjellësit, do t’u kthehen borxhet atyre që kanë përfituar nga falja e nuk kanë paguar këstet mujore.

Ujësjellësi tregon se do të intensifikojë përpjekjen që borxhet t’i inkasojë edhe nëpërmjet përmbaruesve privatë.

Shkyçjet ujësjellësi i kishte paralajmëruar edhe më herët.

http://kallxo.com/ujesjellesi-fillon-shkycjen-e-borxhlinjve-nga-rrjeti/

KALLXO.com ka shkruar edhe për shtrenjtimin e ujit sivjet.

http://kallxo.com/shtrenjtohet-uji/