Udhëtimi i kryeministrit për në Hagë shtyhet për disa orë

Udhëtimi i kryeministrit të dorëhequr të Kosovës, Ramush Haradinaj, për në Hagë është shtyrë për disa orë për shkak të vonesave të kompanisë fluturuese.

Këtë njoftim e ka bërë zyra e kryeministrit përmes një komunikate.

“Ju njoftojmë se fluturimi me të cilin ka pasur të udhëtojë Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj për në Hagë, është shtyrë për disa orë, për shkak të vonesave të kompanisë së fluturimeve “Austrian Airlines”, thuhet në njoftimin e zyrës së kryeministrit.

Kryeministri në dorëheqje i Kosovës, Ramush Haradinaj sot do të udhëtojë për në Hagë ku do të intervistohet nga Prokuroria e Specializuar për krime lufte.

Të premten ai dha dorëheqje nga pozita e Kryeministrit për shkak të ftesës për në Hagë, duke thënë se atje nuk dëshiron të shkojë si përfaqësues i shtetit.

Ai para se të niset ka përsëritur qëndrimet e tij për politikën vendase karshi Serbisë duke theksuar se nuk duhet të ketë prekje të kufijve.

“Sot, si Ramush Haradinaj, qytetar i Republikës së Kosovës, i përgjigjem ftesës për intervistim nga Dhomat e Posaçme në Hagë. Tërësisht në të drejtën e Kosovës, i palëkundur për vendimet e mia jetësore dhe i patrazuar e ballëlartë…Kosova është e gatshme të dialogojë me Serbinë deri në arritjen e një marrëveshjeje finale ligjërisht obliguese, përfshi njohjen reciproke në kufijtë ekzistues. Por, tregun e japim vetëm për njohje”, shkroi Haradinaj.

Teksa jepte lajmin për dorëheqje para mediave, Haradinaj porositi që taksa e vendosur ndaj Serbisë nga Qeveria e Kosovës nën drejtimin e tij, duhet të mbetet në fuqi.

Kjo është hera e dytë që Haradinaj dha dorëheqje. Në mars të vitit 2005, pak muaj pasi mori detyrën si kryeministër, ai pati dhënë dorëheqje pas aktakuzës së parë të ngritur ndaj tij nga Tribunali i Hagës, për krime lufte në territorin e ish-Jugosllavisë. Haradinaj ishte dorëzuar vullnetarisht në Gjykatën e Hagës.

3 vjet më vonë, Gjykata e Hagës e shpalli ish komandantin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të pafajshëm.

Në vitin 2012, katër vjet pasi u bë rigjykimi i tij, Haradinaj sërish u shpall i pafajshëm për të gjitha akuzat që e ngarkonin atë për krime lufte.

Një fletarrest nga Serbia, e përballi Haradinajn me një tjetër proces gjyqësor.

Në Colmar të Francës më 4 janar të vitit 2017, autoritetet franceze e ndaluan liderin e AAK-së, sërish mbi akuzat për krime lufte. Por, pas procesit gjyqësor ndaj tij, drejtësia franceze e liroi atë më 27 prill.

 

https://kallxo.com/haradinaj-gati-per-tu-nisur-per-ne-hage-perserit-se-tarifa-hiqet-vetem-ne-njohje/

.