Raporti i KFOS-it dhe Institutit Riinvest | Foto: KALLXO.com

Udhëtimi Energjetik Donkishotian i Kosovës

Luan Shllaku nga KFOS tha se po ka vonesa në sektorin energjetik, dhe kjo po rrit urinë për energji dhe po ul pazarin.

“Gjithnjë e më tepër bëhemi të untë për energjinë e cila lëshon pazarin poshtë. Për ta lëshuar pazarin poshtë do të thotë jemi të gatshëm cilin do ta sjellim këtu, vetëm le të fillojë ta bëjë atë termocentral ‘Kosova e re’ apo ‘Kosova C’ sa më shpejt,” tha Shllaku

Më tej Shllaku tha se në këtë “aksham pazar” të cilin e kemi mbjellë në këto 10-12 vjetët e fundit nuk po i shohim sa janë të rëndësishme mënyrat se si po bëhen .

Ministri i Zhvillimit Ekonomik Blerand Stavileci tha se të gjithë përballen me udhëkryq me atë të metaforës së analizës.

“Don Kishotin apo më mirë do të thosha donkishotët sot i shohim gjithandej. Të gjithë janë në udhëkryq, secili do ta bëjë aventurën e tij pa marrë përgjegjësi për të ardhmen e vendit tonë, duke i ditur potencialet nga njëra anë dhe kufizimet nga ana tjetër,” tha Stavileci

Ministri Stavileci tha se nuk do ta paguajë “faturën” e viteve që kanë shkuar, duke shtuar se nuk ka marrë pjesë në forumet e kaluara, por do ta bëjë një parapagim të një garancioni për të ardhmen e përgjegjshme.

Zëvendësshefi i Sektorit për Bashkëpunim të Komisionit Evropian Libor Chlad tha se Kosova ka ambicie t’i bashkëngjitet tregut të BE-së dhe për këtë nevojitet një bazë industriale e shëndoshë.

“Energjetika është njëra prej burimeve prodhuese dhe nuk është cilido a çfarëdo i tillë sot, por është me rëndësi vendimtare. Pa energjetikë, unë dyshoj se mund t’ia dilni mbanë të ndërtoni një bazë të shëndoshë industriale,” tha Libor Chlad

Raporti fletë për mundësitë zhvillimore, si ndërtimi i kapaciteteve të reja të bazuar mbi linjit, ndërtimi i kapaciteteve të reja të mbështetura nga energjia e ripërtërishme, gazi natyror, ku Kosova duhet t’i marrë të gjitha masat të përfitojë nga projektet e shtrirjes së gazit nga Azerbejxhani, bashkëpunimit energjetik me Shqipërinë, implementimit të masave për efiçiencë energjetike, si dhe masave për reduktim të konsumit të energjisë në sektorë të ndryshëm dhe ngritjen e ngrohtoreve rajonale si projekti i ngrohtores së Prishtinës që furnizohet me avull nga termocentrali i Obiliqit.

Sipas raportit, krahas mundësive zhvillimore energjetike, paraqiten kufizime apo konflikte.

Në bujqësi ndërtimi i termocentraleve zë hapësirë të madhe toke dhe ndër elementet kryesore duhet të kihet parasysh sipërfaqja me tokë pjellore të bonitetit të lartë, ndikimi në ujëra.

Rajoni ku ndodhet baseni i linjitit studimet e deritashme tregojnë se ballafaqohet me mungesë të ujit, dhe ndikim në shëndetin e banorëve. Nga ndotja e ambientit nga termocentralet, shkaktohen probleme serioze shëndetësore.