UBT merr Çmimin e Ekselencës nga Organizata Evropiane për Menaxhimin e Cilësisë

Kolegji privat UBT, ka bërë të ditur se Këshilli i Ekselencës botërore, konkretisht Organizata e njohur për Menaxhimin e Cilësisë (EFQM), ka certifikuar dhe vlerësuar UBT-në me Çmimin e Ekselencës me Pesë Yje.

Sipas këtij njoftimi nga UBT, ky vlerësim është vazhdimësi e vlerësimit të mëhershëm, fituar në vitin 2014, të nivelit organizativ të ekselencës.

Rektori i UBT-së, Edmond Hajrizi ka thënë se EFQM e ka vlerësuar UBT-në për politikat e prezantuara nga institucioni, zhvillimin e aftësive dhe për menaxhimin.

Hajrizi ka shtuar se raporti i kësaj organizate ka konstatuar se UBT ka një rol të jashtëzakonshëm për komunitetin dhe industrinë.

“Kontributi i UBT-së në Republikën e Kosovës demonstrohet në mënyra të shumta dhe qeveria lokale dhe qendrore i drejtohen UBT-së për mbështetje dhe ekspertizë. UBT tejkalon shumë atë që pritet prej tyre në këtë fushë, për shembull, objektivat e rekrutimit përmbushen dhe tejkalohen vazhdimisht”, thekson rektori Hajrizi.

Eksperti i ekselencës, Andre Haynes, i cili e ka vlerësuar këtë kolegj përgjatë tërë procesit të marrjes së ekselencës, e konsideroi atë si prijës dhe model menaxhimi që duhet ndjekur nga institucionet tjera arsimore në Evropë.

“Unë mendoj që UBT është një institucion shumë i këndshëm, mënyra e të mësuarit, mënyra se si profesorët sillen dhe stafi mbështetës, është absolutisht e shkëlqyeshme”, theksoi Haynes.

Në njoftimin e UBT-së është thënë se ‘qindra universitete, kolegje e institucione të ndryshme në mbarë botën, konkurrojnë në vazhdimësi për ta marrë Çmimin e Ekselencës’.

Sipas tyre, për ekspertin e ekselencës Andre Haynes, kolegji UBT është një prijës.

“Nuk njoh organizatë në Ballkanin Perëndimor që e shfrytëzon modelin e ekselencës në mënyrën e njëjtë, dhe mendoj që është pjesë e lidhjeve ndërkombëtare me organizatat tjera në Evropë. Ka filluar të bëhet pak punë në Rumani, por përsëri, jo në sektorin e arsimit, prandaj vërtetë UBT është prijës”, thekson Haynes.