Uashingtoni nuk Dëshiron të Bisedojë me Talibanët

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha se Uashingtoni nuk dëshiron të negociojë me talibanët.

“Mund të vijë koha, por do të jetë shumë e gjatë”, tha Trump në një takim me përfaqësues të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Ai i bëri komentet pas disa sulmesh vdekjeprurëse që kanë goditur Afganistanin ditëve të fundit.

Të shtunën, një sulm masiv në Kabul ka lënë të vrarë mbi 100 veta dhe përgjegjësinë për të e kanë marrë talibanët.

Duke folur në Shtëpinë e Bardhë, Trump tha se “do të përfundojë në Afganistan atë që duhet të përfundojë”.

Ai tha se “njerëzit e pafajshëm po vriten, përfshirë fëmijë”, porse “nuk do të ketë bisedime me talibanët”.

Këtë muaj, disa amerikanë janë vrarë dhe plagosur në një betejë 13-orëshe me talibanët, në një hotel të Kabulit.