Nga një mbledhje e Këshillit Prokurorial | Foto: KALLXO.com

U Refuzuan 14 Për Qind të Aktakuzave të 2016-ës

Në mbledhjen e 127-të të Këshillit Prokurorial të Kosovës u paraqit raporti në lidhje me aktakuzat që u ngritën gjatë vitit që shkoi.

Nga ky raport që e prezantoi drejtori i Institutit Gjyqësor të Kosovës Lavdim Krasniqi, doli se 39 për qind e aktakuzave të vjetme u refuzuan, u hodhën poshtë dhe përfunduan pa dënime të të akuzuarve.

“Nga 406 vendime të gjykatave lidhur me aktet akuzuese lidhur me veprat karakteristike, 0.9 % të rasteve janë hudhur aktakuzat, në 61 % të rasteve janë shpallur fajtorë dhe dënuar personat e akuzuar, në 16 % të rasteve janë liruar, ndërsa në 14 % të rasteve janë refuzuar aktet akuzuese,” tha Krasniqi.

Ndaj këtyre të dhënave dhe në tërësi ndaj raportit reagoi anëtari i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Bahri Hyseni i cili tha se në raport ka evidentuar disa mospërputhje.

“Kjo mënyrë e hartimit të raportit duhet të ndryshojë dhe nuk duhet të vazhdojë. Raporti duhet të përmbajë të dhëna krahasuese”, tha Hyseni.

Si mospërputhje, Hyseni përmendi statistikën e 0.9 për qind të aktakuzave të hedhura poshtë që tha se duhet të jetë 9 për qind.

Kryeprokurori Aleksandër Lumezi i cili dëgjoi me vëmendje prezantimin e të dhënave nga Raporti i Mekanizmit Përcjellës për Harmonizim e Statistikave  për Periudhën Janar-Shtator 2016 konstatoi se refuzimi i 14 për qind të aktakuzave të 2016-ës është numër i lartë.

“14 përqind të rasteve me aktgjykime refuzuese është një numër i lartë dhe dihet se kur merren këto lloj aktgjykimesh- kur prokurori e ka tërhequr aktin akuzues,” tha Lumezi.

E dhënë tjetër shqetësuese që doli nga raporti ishte edhe fakti se vetëm 3 ankesa të prokurorëve janë miratuar nga Gjykata e Apelit, edhe pse kësaj gjykate vjet i kanë shkuar 95 ankesa të tilla.

KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi për rastet ku aktakuza me të të akuzuar të profilit të lartë, siç rasti i ish-kreut të Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, ai i ish-kryeprokurores së Gjakovës, Shpresa Bakija dhe rasti i kryetari të Gjilanit, Lutfi Haziri, përfunduan me aktgjykime refuzuese, liruese apo lirim të të akuzuarve në mungesë të provave.

http://kallxo.com/gjykata-e-apelit-refuzon-ankesen-kunder-lutfi-hazirit/

http://kallxo.com/enver-hasanin-e-shpeton-gjykata-e-apelit/

http://kallxo.com/e-pafajshme-shpresa-bakija/