Fotografia: Ilustrim

U Gjenden Armë, Arrestohen 4 Persona

Katër persona janë arrestuar në komunën e Deçanit mbrëmjen e së shtunës. Të njëjtit janë arrestuar pasi policia në veturën e tyre ka zbuluar një armë automatike “AK 47” dhe një pistoletë.

Policia ende nuk ka dhënë motivin  e këtyre personave, ndërsa KALLXO.com mëson se për rastin janë interesuar edhe njësi elite të Policisë.

“Qëllimi i këtij grupi ende nuk është i ditur” ka thënë shkurt prokurorja e cila është duke u marrë me rastin.

Nga ana tjetër, zyrtarët për media të policisë kanë thënë se për rastin duhet t’i referohemi raportit 24 orësh të policisë.

Në të njëjtin rasti është cilësuar si armëmbajtje pa leje. “Katër të dyshuar janë arrestuar pasi që gjatë kontrollit në veturën e tyre janë gjetur dhe konfiskuar një “AK 47”  me 20 copë fishekë si dhe një pistoletë me 16 copë fishekë të kalibrit 9mm” thuhet në raport.

Ndërsa Dioqeza e Kishës Ortodokse Serbe për Rashkë dhe Prizren ka thënë se mbrëmë rreth orës 21, “katër islamistë të armatosur janë arrestuar përballë Manastirit të Deçanit”.

Sipas komunikatës së Dioqezës, të arrestuarit kanë qenë në një veturë Golf me targa të Ferizajt (05), ndërsa janë ndalur nga KFOR-i dhe Policia e Kosovës dhe se të arrestuarit janë nga Gjilani, Ferizaj, Prizreni dhe Gjakova.

Sava Janjiq nga Manastiri i Deçanit ka thënë se priftërinjtë dhe stafi tjetër i Manastirit “janë të sigurt” dhe se, sipas tij, ky incident është një indikacion tjetër se prania e KFOR-it që ka ofruar siguri tash e 16 vjet për Manastirin “është e një rëndësie të veçantë”.