Diskutimi për TVSh-në | Foto: KALLXO.com

TVSh-ja Problematike për Ndërtimtarët

Njoftimi i ndërtimtarëve u bë në një diskutim publik.

Gjatë diskutimit, ministri i Financave Avdullah Hoti tregoi qëllimin e takimit.

“Qëllimi i takimit të sotëm është që ne të sqarojmë bashkë me juve mënyrën e aplikimit të TVSh-së në furnizimin e shërbimeve në lëmin e ndërtimit, me qëllim që ju ta keni më të lehtë me respektu ligjin e TVSh-së që ka filluar nga shtatori i vitit të kaluar, në mënyrë që ta zvogëlojmë informalitetin,” tha Hoti.

Sakip Imeri, drejtor i përgjithshëm i Administratës Tatimore të Kosovës (ATK) foli para ndërtimtarëve për mënyrën ndryshe të aplikimit të Tatimit mbi Vlerën e Shtuar në këtë sektor.

“Nga shtatori i vitit 2015 kur është në fuqi pakoja e re fiskale, TVSh-ja për procesin e ndërtimit ka një trajtim tjetër. Aplikohet ngarkesa e kundërt te TVSH-ja dhe kjo sigurisht për ata që aplikojnë për herë të parë është pak e panjohur se edhe në Kosovë ka filluar të aplikohet nga tetori i vitit të kaluar,” tha Imeri.

Ai më tutje bëri të ditur se biznese të ndryshme po dërgojnë e-mail-a ku po ankohen se nuk po e kuptojnë mënyrën e zbatimit të TVSh-së.

Ngarkesa e kundërt e TVSh-së aplikohet në raste të veçanta në sektorin e ndërtimit, ndërsa nënkupton që gjatë saj Tatimin mbi Vlerën e Shtuar nuk e paguan shitësi, por blerësi i shërbimeve.

Megjithatë, gjatë diskutimit më tepër u diskutuan çështje tjera, sidomos falja e borxheve të bizneseve nga ATK-ja, duke u lënë nën hije dhe e pashpjeguar çështja e ngarkesës së kundërt të TVSh-së.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës Safet Gërxhaliu sektorin e ndërtimit e konsideroi shtyllë kryesore të punësimit në Kosovë.

“Në qoftë se analizoni kuotën e punësimit, në qoftë se analizoni kuotën e porosive, ajo çka është duke ndodhur në aspekt pozitiv në Kosovë, definitivisht sektori i ndërtimtarisë është shtylla kryesore,” tha Gërxhaliu.