Arkiv - Ilustrim - Grafitet në muret e shkollës në Uglar, Foto: AGK

'TV Most' Përmirëson Titullin që Përmbante Gjuhë të Urrejtjes

Kryeredaktorja e “TV Most”, Liljana Jankoviq ka thënë se mediumi ka bërë një lëshim dhe se titulli i shkrimit është i papranueshëm për të, njofton Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK).

AGK gjatë ditës së djeshme ka reaguar në lidhje me artikullin “Terroristët shqiptarë kërcënojnë Marko Gjuriqin”, të “TV Most” në Zveçan, shkrim ky që sipas Asociacionit përmbante gjuhë të urrejtjes.

Pas reagimit të AGK-së, “TV Most” ka ndryshuar titullin e shkrimit të publikuar më 28 janar 2018.

“Titulli është plotësisht i papranueshëm. Ky është lëshimi ynë dhe menjëherë do të ndërrojmë titullin. Kjo është thyerje e Kodit dhe nuk është një gjë që ne bëjmë. Nuk ka qenë me qëllim, tani e kam parë tekstin dhe menjëherë kam reaguar, ne nuk raportojmë kësisoj”, i tha Jankoviq Asociacionit të Gazetarëve të Serbisë.

AGK inkurajon të gjitha mediat në Kosovë që t’i përmbahen standardeve profesionale dhe Kodit të Etikës për një informim të drejtë dhe objektiv.

“TV Most” kishte publikuar një artikull të shkurtër në lajmet e mbrëmjes së 28 janarit 2018 në lidhje me shënimin e disa grafiteve në një shkollë fillore në fshatin Uglar, që gjendet në afërsi të Fushë-Kosovës, ku mësimin e ndjekin fëmijët e komunitetit serb.

Më pas, në portalin e këtij televizioni është përdorur termi “Siptari” i cili është ofendues ndaj shqiptarëve dhe i cili shpjegon disa detaje të tjera të këtij incidenti, me titull “Terroristët shqiptarë kërcënojnë Marko Gjuriqin”.

Më herët KALLXO.com ka shkruar për reagimin e AGK-së dhe OSBE-së ndaj gjuhës së urrejtjes të përdorur në raportim.