Presidenti i Turqisë, Recp Tayyip Erdogan, Foto: REL/EPA-EFE

Turqit kërkojnë azil në Kosovë për t’u mbrojtur nga Erdogani

Në një shtëpi në Kosovën jugore, poshtë një portreti të themeluesit të Turqisë moderne, Mustafa Kemal Ataturk, një djalë dyvjeçar luan me tullumbace.

S’mund t’ia përmendim emrin djalit. Ai lindi më 15 korrik 2016, ditën kur Turqia u pezmatua nga një grusht shteti i dështuar kundër sundimit të Rexhep Tajip Erdoganit.

Djalit i janë refuzuar dokumentet turke që atëherë dhe kështu nuk e ka kaluar kurrë kufirin e Kosovës, ku prindërit e tij punojnë si mësues për një rrjet shkollash të lidhura me klerikun në SHBA, të cilin Erdogani e akuzon për krijimin e një puçi të dështuar.

Dy muaj më parë, babai i djalit, i cili foli me BIRN-in në kushte anonimiteti, aplikoi për azil në Kosovë, i frikësuar nga arrestimi dhe dëbimi i papritur i gjashtë bashkatdhetarëve të tij në mars në një operacion të organizuar nga oficerët e inteligjencës turke.

Ai nuk është i vetëm.

Qytetarët turq tani kryejnë listën e azilkërkuesve në Kosovë.

“Erdogani ka ndikim të madh në Kosovë. Ai është si zot këtu,” tha burri.

“Kam dorëzuar kërkesën për azil për familjen time, por nëse ka ndonjë vonesë, do mendoj mundësinë për të shkuar diku tjetër, në BE.”

“Si të jetosh në burg”

Lideri më i fuqishëm i Turqisë që nga koha e Ataturkut, presidenti Erdogan i ka goditur radhë ata që konsiderohen si ndjekës të klerikut Fethullah Gylen, duke burgosur më shumë se 50,000 vetë dhe duke shkarkuar ose pezulluar 150,000 vetë nga vendet e punës në sektorët ushtarakë, publikë dhe privatë.

Duke përdorur ndikimin diplomatik dhe financiar, Ankaraja po përpiqet të detyrojë mbylljen e një rrjeti shkollash të Gylenit në mbarë botën, me rezultate të përziera në Ballkan dhe vende të tjera dhe ka arritur të sigurojë ekstradimin e gylenistëve të dyshuar, pavarësisht frikës së shprehur nga mbikëqyrësit e të drejtave të njeriut për mundësinë e tyre për pasjen e një gjyqi të drejtë. Gyleni mohon të ketë pasur ndonjë rol në përpjekjen e grushtit të shtetit.

Ambasada turke në Kosovë nuk iu përgjigj pyetjeve të BIRN lidhur me numrin e kërkesave për ekstradim të paraqitura në Kosovë dhe pse ambasada ka refuzuar dokumente për fëmijët e lindur atje që nga përpjekja e grushtit të shtetit.

Ambasadori Kivilcim Kiliç konfirmoi se Ankaraja ka bërë kërkesa për ekstradim, duke thënë në një deklaratë në korrik: “Ne presim që autoritetet e Kosovës të ndërmarrin veprime konkrete për të deportuar personat që janë të përfshirë në veprimtari të paligjshme.”

Ministria e Drejtësisë e Kosovës tha se kishte pranuar tetë kërkesa për deportim nga Turqia, përfshirë gjashtë të ekstraduarit në mars pa ndonjë seancë gjyqësore. Ministria tha se nuk kishte marrë kërkesa të tjera për ekstradim nga Ankaraja dhe theksoi se ato jo të gjitha kishin lidhje me rastin e Gylenit.

“Ka pasur gjithashtu kërkesa për ata që akuzohen për vjedhje ose rrëmbim,” tha ministria për BIRN, duke shtuar: “Nuk do të ketë ekstradime pa një vendim gjyqësor, si dhe një vendim nga Ministria e Drejtësisë.”

Ministria e Brendshme tha se 46 qytetarë turq kishin kërkuar azil që nga nëntori 2017 dhe 10 ishin miratuar deri më tani. Gjashtëdhjetë e katër të tjerë kanë ardhur nga Turqia gjatë disa muajve të fundit dhe janë në procesin rregullimi në vendbanimet të tyre, tha ajo.

Burri që kërkoi azil dy muaj më parë tha se ishte jetësore që ai të siguronte dokumente për fëmijët e tij. Ai tha se besonte se rreth 200 turq në Kosovë po kërkoheshin nga Ankaraja.

“Nëse kemi ndonjë problem, ndonjë sëmundje që nuk mund të trajtohet në spitalet e Kosovës, nuk mund të shkojmë në asnjë vend,” “Të kesh fëmijë pa dokumente është si të jetosh në burg.”

Rreziku nuk ka kaluar

I pari që mori azil ishte Ugur Toksoy, i cili u arrestua në Kosovë në tetor 2017 bazuar në një urdhër arresti të lëshuar nga Turqia për lidhjet e tij të dyshuara me Gylenin, por ekstradimi i të cilit u hodh poshtë nga prokurorët e Kosovës.

“Pavarësisht përpjekjes nga autoritetet turke që të na ndëshkojnë, ne nuk duam të tërhiqemi nga misioni ynë për të punuar në Kosovë,” tha Toksoy, i cili punon për OJQ-në “Atmosfera”, e cila drejton shkollën Nasan Nahi në qytetin e Prizrenit në Kosovë.

Turqia  e akuzoi Toksoyn se po mblidhte para për lëvizjen Gylen, që Ankaraja thotë se është një organizatë terroriste e angazhuar në përmbysjen e shtetit turk. Toksoy mohoi mbledhjen e fondeve për ndonjë.

Azili i Toksoyt është i vlefshëm për tre vjet, por ai ende i druhet lidhjeve të ngushta mes elitës politike të Kosovës dhe Ankarasë, një fuqi e madhe diplomatike dhe financiare në shtetin e ri ballkanik.

“Për një vend që aspiron vlerat e Europës Perëndimore, lidhja me Erdoganin nuk është gjë e mirë,” tha ai për BIRN.

Për momentin, ai mund të jetë i sigurt nga krahu i gjatë i ligjit turk, Toksoy tha se “rreziku i deportimit për shumë të tjerë nuk ka kaluar ende”.