Turqit e Kosovës kërcënojnë me rrëzimin e qeverisë, nëse nuk shkarkohet Gjergj Dedaj

Deputeti i Grupit 6+ nga subjekti politik Partia Demokratike Turke e Kosovës KDTP, Fikrim Damka, tha se kanë kërkuar nga kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, shkarkimin e zëvendësministrit të Punëve të Jashtme, Gjergj Dedaj.

Kjo kërkesë  e komunitetit turk në Kosovë, vjen pas deklaratës së zëvendësministrit i cili përmes një postimi në “Facebook”, ka shkruar se Turqia dhe Serbia po synojnë rikthimin e tyre strategjik në Kosovë përmes emisarëve të tyre.

Dedaj gjithashtu i ka cilësuar edhe “mbetje” të sundimeve të Turqisë dhe Serbisë.

Damka, ka thënë për KALLXO.com, se kjo është nxitje ndëretnike.

“Kjo është edhe nxitje ndër etnike ne Kosovë nuk është hera e parë që e bënë  këtë. Nëse hyni në Facebook, do të shikoni  krejt postimet e tij janë kundër Republikës së Turqisë, është kundër turqve të Kosovës është kundër myslimanëve të Kosovës”, tha Damka.

Damka ka shtuar se Dedaj e ka sjell deri në fund dhe në skaj këtë çështje.

“Kemi reaguar edhe te kryeministri dhe zyrtarët e lartë të shtetit tonë dhe ky zyrtar nuk mund të jetë përfaqësues sidomos në Ministrinë e Punëve të Jashtme. Jo vetëm në MPJ po në asnjë institucion tjetër dhe jashtë Kosovës”, shtoi deputeti Fikrim Damka.

Ai shtoi se kanë frikë për këtë çështje dhe shpreson që kryeministri do të marr hapa konkret për shkarkimin e zëvendësministrit Dedaj në të kundërtën paralajmëron largim nga koalicioni.

“Ne presim presim prej kryeministrit hapa konkret ta largoj prej detyrës këtë zyrtar. Do të diskutojmë me kryeministrin për afat më të ngutshëm, shpresojmë nuk na bien në hapin e fundit që të largohemi prej koalicionit”, përfundoi Damka.

Ndërkohë edhe qevria distancohet nga deklarata e zëvendësministrit Dedaj.

“Qeveria e Republikës së Kosovës shpreh qëndrim se, deklarimet mediale që kanë përmbajtje gjuhën fyese ndaj Republikës së Turqisë, nga kushdo qofshin, janë të papranueshme dhe nuk paraqesin politikën zyrtare të Qeverisë Haradinaj, as kur ato thuhen nga ndonjë zyrtar i kësaj qeverie apo kushdoqoftë tjetër”, ka thënë Haradinaj.