Mevlut Cavusoglu, ministër i Jashtëm i Turqisë. Foto: Reuters/REL

Turqia Planifikon Operacion Ushtarak Ndaj Kurdëve

Turqia tha se planifikon ndërhyrje ushtarake në rajonet Afrin dhe Manbij të Sirisë, të cilat kontrollohen nga kurdët, në përgjigje të “kërcënimit” që paraqesin luftëtarët kurdë atje.

Ministri i Jashtëm turk, Mevlut Cavusoglu, tha se Ankaraja vazhdon të mos iu besojë Shteteve të Bashkuara për shkak të mbështetjes së tyre për forcat kurde siriane.

Ai i bëri këto komente një ditë pasi sekretari amerikan i Shtetit, Rex Tillerson, tha se ka takuar ministrin e Jashtëm turk për të sqaruar çështjen e mbështetjes amerikane për luftëtarët kurdë në Siri.

Agjencia shtetërore e lajmeve në Turqi, Anadolu, tha se forcat turke të sigurisë janë urdhëruar që të përgatiten për ndërhyrje në rajonet Afrin dhe Manbij.

Më 15 janar, presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka kërcënuar se do të shkatërrojë “ushtrinë e terrorit”, të cilën, sipas tij, SHBA-ja po përpiqet ta ndërtojë me kurdët në kufirin e Turqisë me Sirinë.

Ankarja është e zemëruar që Uashingtoni ka lidhur aleancë me njësitet kurde në Siri, që kanë luftuar kundër militantëve të Shtetit Islamik.

Turqia i konsideron luftëtarët kurdë terroristë dhe i sheh si kërcënim për territorin e saj.