Turbulenca në aeroplanin Prishtinë – Basel, tmerrohen pasagjerët

Pasagjerët që po fluturonin nga Prishtina në Bazel kanë përjetuar tmerrin mbrëmë përderisa aeroplani pati disa turbulenca disa minuta para mbërritjes në destinacion, raportojnë mediat zvicerane.

Sipas agjencisë së lajmeve 20minuten, turbulenca nisi nja 30 minuta pas ngritjes së aeroplanit nga Aeroporti i Prishtinës dhe zgjati rreth pesë minuta.

Agjencia citon pasagjeren Mirjeta Basha, e cila jeton në kantonin Aargau në Zvicër duke thënë se pasagjerët janë frikësuar se aeroplani do të rrëzohej.

“Isha e frikësuar për vdekje”, tha ajo.

Ajo i përshkroi skenat e tmerrit. “Njerëzit filluan të qanin dhe të bërtasin. Një stjardesë bashkë me karrocën e saj është përplasur për tavani. Gotat fluturonin dhe disa u përvleruar nga uji i ngrohtë”, tha ajo.

Burri i saj me të cilin ajo vizitoi të afërmit në Prishtinë ka pësuar djegie nga uji i ngrohtë dhe menjëherë pas aterimit është dërguar për trajtim mjekësor bashkë me nëntë të lënduar tjerë.

Videon nga brenda aeroplanit mund ta gjeni në këtë link.

Vivienne Gaskell, zëdhënëse e Aeroportit të Baselit, konfirmon një ndërhyrje të ambulancave dhe zjarrfikësve pas aterimit të aeroplanit në Basel.

“Sipas planit, në orën 20:07 një Boeing ka ardhur nga Prishtina me 121 pasagjerë në bord. 10 persona janë dërguar në spital të Baselit me lëndime të lehta”, tha Gaskell.