Foto: Wikimedia Commons

Tubimi i Erdogan në Sarajevë nxit konflikt verbal ‘online’

I padëshiruar në Europën perëndimore, plani i presidentit turk për të mbajtur një tubim parazgjedhor në kryeqytetin e Bosnjës shkakton debate të ashpra në media sociale.

Politikë-bërësit dhe analistët do të debatojnë në lidhje me domethënien politike të tubimit të ardhshëm parazgjedhor të presidentit Rexhep Taip Erdogan në Sarajevë – dhe me miratimin e Bosnjës – për njëfarë kohe.

Por në media sociale, janë shënjuar tashmë vijat e betejës.

“Mirë se vini Sulltani jonë – vëllezërit tanë turq ishin dhe ngelen miqtë e vetëm të popujve tonë të Ballkanit”, një përdorues Facebook-u shkroi në faqen e sapokrijuar ‘Mbështetje për Vizitën e Presidentit Erdogan në Sarajevë’.

“Diktator!” shkroi një tjetër në një faqe rivale, ‘Qytetarët e Sarajevës kundër Tubimit të Erdogan-it’.

Lajmi u hap javën e kaluar, që Erdogan dhe partia e tij ‘Drejtësi dhe Zhvillim’, do të tubojë diasporën turke në Evropë, në kryeqytetin e Bosnjës më 20 maj, para zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale të parashikuara për më 24 qershor, një vit e gjysmë përpara planit.

U shoqërua me ndalime nga Austria, Holanda dhe Gjermania për fushatat e partive turke mes komuniteteve me numër të konsiderueshëm të turqve në këto shtete, një pasqyrim i asaj se sa janë thartuar marrëdhëniet mes Bashkimit Evropian dhe Turqisë nën Erdogan-in.

Në një intervistë me Klix.ba, ambasadori turk në Sarajevë, Haldun Koc, e përshkroi udhëtimin e Erdogan-it si një vizitë pune dhe tha që do të marrë pjesë në një konventë të Bashkimit të Demokratëve Turq Evropianë (UETD), një organizatë turke lobimi, e cila së fundmi ka themeluar një organizatë simotër në Bosnjë, të quajtur Bashkimi i Demokratëve Evropianë të Ballkanit (UEBD).

Kjo konventë është planifikuar të mbahet në sallën Olimpike të rinovuar të Sarajevës, me kapacitet prej 20 000 personash.

Miratimi i Bosnjës për një eveniment të këtillë, nga një njeri që është akuzuar nga BE për prapakthimin e lirive demokratike, duke i dhënë goditje të tërbuara kundërshtarëve, shkakton përçarje sa i përket të ardhmes së vendit në Evropë dhe trashëgimisë së sundimit disa shekullor Osman dhe turk.

Mbështetësit e shohin Turqinë si aleat të fortë financiar dhe diplomatik, mbrojtës të boshnjakëve myslimanë në një shtet ende të dobët përkundrejt rivaliteteve të fuqive të jashtme. Të tjerët argumentojnë se Erdogan e trajton Bosnjën si vasale, një vegël në përpjekjet e tij për të ndërtuar një ndikim turk në ish-trojet Osmane.

 

Ndërsa disa mbështetës boshnjakë e quajtën Erdogan-in si ‘babai’ i boshnjakëve, të tjerë kundërshtarë online bënë thirrje për kundër-tubim.

“Erdogan po e sfidon Evropën nëpërmjet Sarajevës”, lexonte një koment. “Ne jemi thjesht gurë shahu në skemat e tij politike”.

Disa raporte nga mediat thonë që më shumë se 10 000 turq do udhëtojnë nga vendet evropiane për ta parë sadopak Erdogan-in. Boshnjakët vendas, grupet e turqve dhe myslimanëve të cilët banojnë në Bosnjë dhe vende të tjera të Ballkanit gjithashtu priten ta ndjekin, disa me shpenzime të xhepit të tyre, të tjerë me anë të transportit të organizuar.

Online, ata që janë në favor të evenimentit lëvduan suksesin e Erdogan-it në rritjen e ekonomisë turke, duke rritur pushtetin rajonal të vendit dhe mbështetjen për myslimanët në Ballkan dhe përtej.

Kritikët theksuan autoritarizmin e tij në rritje, shkeljet e të drejtave të njeriut dhe përkeqësimin e marrëdhënieve me perëndimin.

‘MIRË SE VINI PRESIDENT’, shkroi një përdorues Facebook-u. “Nëse kemi shpresë tek dikush që do na ndihmojë të mbijetojmë, jeni ju, z. President dhe populli turk”.

Një tjetër ishte më pak entuziast: “Boll më kemi qenë satelit i tjetërkujt”, shkruante aty.