Tsipras: Dështimi i marrëveshjes për emrin e Maqedonisë, rrezik nga ‘Shqipëria e Madhe’

Kryeministri grek Alexis Tsipras në një intervistë për mediat vendase ka deklaruar se dështimi i Marrëveshjes së Prespës dhe një shpërbërje e Maqedonisë, rrezikon krijimin e një Shqipërie të Madhe.

“Greqia nuk ka asnjë interes nga një destabilizim në kufijtë e saj veriorë. Greqia nuk ka asnjë interes nga shpërbërja e Maqedonisë dhe mundësia e një “Shqipërie të Madhe” në kufijtë tanë”, ka thënë ai.

“Menjëherë pasi të votohet në Parlamentin e Shkupit, qëllimi ynë është ta sjellim menjëherë Marrëveshjen e Prespës në parlament, natyrisht brenda muajit janar”, shtoi ai.

I pyetur rreth një refuzimit të mundshëm të marrëveshjes nga “Grekët e Pavarur” të Panos Kamenosit, Kryeministri pohoi se në atë rast do të kërkojë mbështetjen e parlamentit.

Marrëveshja historike mes Athinës dhe Shkupit e firmosur në Prespë në qershor, pritet të ratifikohet brenda 15 janarit në Parlamentin e Maqedonisë.