"Kapiten Dragani" në gjyq

Trupat Kroate e Pranojnë që Përdorën Kishën

Ish-ushtarët kroatë që dëshmojnë si dëshmitarë të mbrojtjes në gjyqin e ish-komandantit paraushtarak serb Dragan Vasiljkoviq thanë në gjykatën në Split të mërkurën se pranë kishës dhe shkollës që akuzohet se ka sulmuar i akuzuari kishte trupa ushtarake.

Vasiljkoviq akuzohet për organizimin dhe udhëheqjen e një sulmi në stacionin e policisë në qytetin e Glinës në Kroacinë Qendrore, si dhe fshatrat përreth në korrik të vitit 1991, në të cilin u vranë dy persona.

Mbrojtja e tij po kërkon të vërtetojë se sulmi ndodhi në objekte ushtarake legjitime ku kishin bazën e tyre ushtarët kroatë, jo vetëm në civilë.

Branimir Jurineq, një ish-anëtar i Gardës Kombëtare Kroate, paraardhësja e Ushtrisë Kroate, dëshmoi se si ai ishte sistemuar në fshatin Gornji Vidusevac pranë Glinës në kohën e sulmit.

Jurineq tha se trupat kroate “u qëlluan vazhdimisht me mortaja dhe tanke”.

“Ata shënjestruan fshatin dhe kishën që është në një kodër,” shtoi ai.

Megjithatë, ai tha se komanda e tij ishte sistemuar pranë një shkolle e cila u sulmua.

Ai tha se ndodhej në bodrumin e shtëpisë së famullirit katolik në fshat, ndërsa komanda e lartë ndodhej në zyrën e famullirit, rreth 100 metra larg nga kisha.

Jurineq gjithashtu pranoi se njësia e tij kishte artileri.

Një tjetër ish-anëtar i Gardës Kombëtare Kroate i cili dëshmoi të mërkurën, Mirko Mihaliq, tha se komanda fillimisht ishte sistemuar në shkollë dhe se më pas ushtarët ishin sistemuar nëpër shtëpi vendase.

Ai gjithashtu konfirmoi se komanda ishte sistemuar në famulli.

Asnjë nga dëshmitarët nuk fajësoi Vasiljkoviqin për sulmet.

Një dëshmitar që dëshmoi të martën, një ish-anëtar i Forcave Serbe Territoriale të Mbrojtjes, Adam Mrakoviq, tha se Vasiljkoviq nuk ishte në Glina gjatë sulmit në stacionin e policisë, edhe pse ai kishte stërvitur rreth 80 persona dhe i kishte drejtuar ata ta shënjestronin atë.

Mrakoviq tha gjithashtu se Vasiljkoviq nuk kishte të bënte me sulmin e mëvonshëm në fshatrat përreth dhe hodhi poshtë mundësinë që ai të ketë bashkëkoordinuar sulmet me një komandant tanku.

“Ishte e pamundur që Dragani të komunikonte me ushtrinë, sepse njësia e tankeve në Glina i ndalonte specifikisht ushtarët e Draganit. Asnjë në uniforma kamuflazhi nuk mund t’u afrohej tankeve,” tha ai.

Vasiljkoviq akuzohet gjithashtu për torturim, keqtrajtim dhe vrasje të ushtarëve dhe policëve kroatë të burgosur në qershor dhe korrik të vitit 1991 në kalanë e Kninit dhe në shkurt 1993 në Bruska.

Ai akuzohet për kryerjen e krimeve gjatë kohës që ishte komandant i Njësisë së Operacioneve Speciale të Serbisë e dërguar për të ndihmuar paraushtarakët serbë në Kroaci gjatë rebelimit të tyre të armatosur midis vitit 1991 dhe 1995.

Sipas aktakuzës së ngritur në janar, ai ishte komandant i qendrës së trajnimit për një njësi paraushtarake speciale të quajtur Alfa.

Vasiljkoviq u vetëdeklarua jofajtor në seancën fillestare në shtator.

Ai u deportua në Kroaci nga Australia, ku kishte vite që jetonte me emrin Daniel Snedden dhe punonte si instruktor golfi.

Gjykimi vazhdon të hënën.