Anëtari serb i presidencës boshnjake Mladen Ivaniq me trupat e Ushtrisë Boshnjake të hënën. Foto: Anadolu

Trupat Boshnjake Hetohen për Mosbindje ndaj Urdhrave

Ministria e Mbrojtjes e Bosnjës të martën tha se hetimi do të shqyrtojë arsyen pse anëtarë të forcave të armatosura të shtetit morën pjesë në festimin e Ditës së Republikës Srpska të hënën – një festë që ishte ndaluar nga Gjykata Kushtetuese e vendit.

“Do të hetohet zinxhiri komandues dhe përgjegjësi të tjera funksionale në sistemin mbrojtës. Nuk mund të japim komente për detajet derisa ky hetim të mbarojë”, tha në një deklaratë Ministria e Mbrojtjes.

Anëtari boshnjak i presidencës trepalëshe dhe udhëheqës i Partisë për Veprim Demokratik, SDA, Bakir Izetbegoviq, bëri thirrje për përgjigje të hënën pasdite pasi anëtarët e Brigadës së Tretë të Këmbësorisë, e përbërë nga ushtarë nga Republika Srpska, morën pjesë në festime pavarësisht urdhrave të qarta për të mos e bërë këtë nga Ministria e Jashtme dhe një paralajmërimi nga komanda e NATO-s në Bosnjë.

“Do të kërkoj një hetim për përgjegjësinë e të gjithë atyre që në njëfarë mënyre kryen një shkelje të ligjeve dhe rregullave të Ushtrisë së Bosnjës dhe Hercegovinës, si edhe udhëzime nga komandanti i selisë së NATO-s në Bosnjë dhe Hercegovinë”, tha Izetbegoviq në një deklaratë për mediat lokale.

Komandanti i selisë së NATO-s në Bosnje, gjeneralja Giselle Wilz, tha gjithashtu se pritet një hetim i plotë nga ana e Ministrisë së Mbrojtjes dhe një përgjigje e duhur nga ana e forcave të armatosura për veprimin e tyre, sipas faqes së lajmeve Klix në Sarajevë.

Festimet e ditës së hënë u organizuan me rastin e 25 vjetorit të krijimit të entitetit të Republikës Srpska në vitin 1992, gjë që nga shumë boshnjakë shihet si prelud i luftës që nisi menjëherë pas kësaj.

Për shkak se kjo datë është gjithashtu një festë fetare ortodokse serbe – dita e Shën Stefanit, i cili është edhe shenjtori mbrojtës i Republikës Srpska, Gjykata Kushtetuese e Bosnjës vendosi në vitin 2015 se festimi i ditës kombëtare më 9 janar ishte diskriminuese ndaj popullsisë joserbe në entitet.

Pavarësisht vendimit të Gjykatës dhe pavarësisht kundërshtimeve të forta nga zyrtarë boshnjakë, të Shteteve të Bashkuara dhe BE-së, autoritetet e Republikës Srpska mbajtën më 25 shtator të vitit të kaluar një referendum për të kërkuar mbështetje për Ditën e Republikës Srpska. Referendumi u konsiderua gjithashtu i paligjshëm nga Gjykata Kushtetuese.

Ditën e përvjetorit, anëtarët e Regjimentit të Tretë të Këmbësorisë u rreshtuan në sheshin Krajina në qendrën administrative të Republikës Srpska, Banja Luka, për t’i dorëzuar një raport anëtarit serb të presidencës shtetërore, Mladen Ivaniq, i cili kishte këmbëngulur se kishte të drejtë të kërkonte përfshirjen e tyre, por ata nuk morën pjesë në paradën e mëvonshme në qytet.

Debati, i cili shkaktoi shqetësim për zinxhirin e komandës në forcat e armatosura të Bosnjës filloi pasi presidenti i Republikës Srpska, Milorad Dodik, bëri thirrje për përfshirjen e regjimentit në festimet e Ditës së Republikës Srpska.

Ministrja e Mbrojtjes, Marina Pendes, fillimisht tha se orkestra ushtarake e regjimentit mund të merrte pjesë në një pjesë të programit, por ushtarët nuk pritej të merrnin pjesë në paradë.

Në përgjigje, Dodik tha për mediat e Republikës Srpska të mërkurën e kaluar se “nëse Regjimenti i Tretë i Këmbësorisë nuk merr pjesë në paradë, ne do të mendojmë se Forcat e Armatosura të Bosnjës janë armiqësore ndaj Republikës Srpska”.

Oferta e çdo pjesëmarrjeje u shfuqizua pasi presidenca trepalëshe e Bosnjës nuk arriti të binte dakord mbi pjesëmarrjen e ndonjë njësie forcash të armatosura.

Të dielën, Ministria e Mbrojtjes nxori një urdhër që asnjë anëtar i forcave të armatosura nuk duhet të marrë pjesë në Ditën e Republikës Srpska.

Ndërsa disa politikanë boshnjakë e panë përfshirjen e regjimentit si një përpjekje nga ana e Dodikut për të shkatërruar forcat e armatosura si një institucion shtetëror, Ivaniq tha për mediat vendase se ishin përpjekjet për ta ndaluar këtë ato që kërcënonin situatën delikate politike në vend.

“Ky është një vazhdim i politikës së pakujdesshme që është e dukshme në Sarajevë dhe mendoj se ky do të jetë prelud i një përshkallëzimi të situatës politike në Bosnjë dhe Hercegovinë. Autorët e këtyre vendimeve goditën atë që është më e rëndësishme për popullin serb, që është krenaria e tyre”, tha Ivaniq për mediat.

Festimet e Ditës së Republikës Srpska u pasuan me deklarata keqardhjeje nga BE-ja dhe Shtetet e Bashkuara.

Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Sarajevë tha se dështimi në përmbushjen e vendimit të Gjykatës Kushtetuese ishte një shkelje e sundimit të ligjit.

“Është për të ardhur keq që liderët politikë kanë zgjedhur të përfitojnë nga kjo mundësi për të polarizuar më tej dialogun politik në vend, në vend që të zgjidhin problemet imediate me të cilat përballen njerëzit në këtë vend”, tha ambasada në një deklaratë.

Delegacioni i BE-së në Sarajevë u bëri thirrje liderëve politikë të ndalin retorikën ndarëse dhe të përqendrohen në reformat politike dhe ekonomike.

“BE-ja e konsideron me rëndësi të madhe funksionimin si duhet të institucioneve demokratike, përfshirë zbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese”, tha zëdhënësja Jamila Miloviq-Haliloviq.