Presidenti i SHBA-së, Donald Trump dhe lideri verikorean, Kim Jong Un gjatë takimit në Hanoi - Foto: REL/Reuters

Trump minimizon testimet e fundit të raketave nga Koreja e Veriut

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump ka minimizuar testimet e fundit të raketave nga Koreja e Veriut, duke thënë se ai beson se lideri i këtij vendi, Kim Jong Un, do të mbajë premtimet e bëra.

“Koreja e Veriut ka lëshuar disa armë të vogla, gjë që ka shqetësuar disa nga njerëzit e mi dhe të tjerët, por jo mua. Kam besim se Kim do të mbajë premtimet që më ka dhënë”, ka shkruar në rrjetin social Twitter, presidenti Trump.

Trump gjendet në Japoni, ku pritet të bisedojë lidhur me shqetësimet për programin bërthamor dhe të raketave të Koresë së Veriut me kryeministrin japonez, Shinzo Abe.

Tensionet ndërmjet SHBA-së dhe Koresë së Veriut janë rritur muajve të fundit, pas samitit të mbajtur në muajin shkurt në Hanoi, ndërmjet të dy liderëve të këtyre shteteve, samit ky që përfundoi pa një marrëveshje dhe pa prodhuar ndonjë rezultat në procesin e denuklearizimit të Gadishullit Korean.

Koreja e Veriut ka lansuar disa raketa me rreze të mesme veprimi më 4 maj.

Këshilltari për siguri kombëtare i presidentit amerikan, John Bolton më 25 maj deklaroi se testimet e fundit të kryera nga Koreja e Veriut janë shkelje e rezolutave të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara./REL