Fotografia: Llogaria në Facebook e Trump-it

Trump Kërcënon Britaninë e Madhe

Donald Trump, kandidati i garës republikane, e cila do ta nxjerrë personin që do ta përfaqësojë partinë në zgjedhjet presidenciale më 2016, është i gatshëm të heqë dorë nga investimet prej rreth një miliard dollarësh në Britani të Madhe nëse do t’i ndalohet hyrja në këtë vend, ka paralajmëruar zëdhënësi i miliarderit.

Deputetët britanikë do të debatojnë më 18 janar për mundësinë e ndalesës së hyrjes dhe qëndrimit të z. Trump në Mbretërinë e Bashkuar, pasi që një peticion që kërkon këtë masë ka mbledhur mbi 570.000 nënshkrime.

Sipas rregullave në fuqi, parlamentarët duhet të mbajnë një debat porsa peticioni të kalojë 100.000 nënshkrimet, raporton AFP.

Miliarderi amerikan ka nxitur një rrebesh kritikash në mbarë botën pasi ka propozuar që myslimanëve t’u ndalohet hyrja në Shtetet e Bashkuara pas vrasjes së 14 personave në një kasaphanë në San Bernardino, në Kaliforni.

Po ashtu, ai kishte thënë se në Paris dhe Londër ka zona të radikalizuara, ku policët nuk guxojnë të hynë, një pohim që është demantuar nga të dy kryeqytetet.

Kryeministri britanik, David Cameron, deklaratat e z. Trump për myslimanët i kishte cilësuar “përçarëse, të marra dhe të rreme”.

Perandoria ekonomike e Donald Trumpit, “Trump Organisation”, thotë se amerikani parasheh të investojë një miliard dollarë në dy fusha golfi që ai i ka në Skoci.

“Çdo veprim që kufizon lëvizjet do ta detyrojë “Trump Organisation” t’u japë menjëherë fund këtyre investimeve dhe të gjitha investimeve të ardhshme që ne po i shqyrtojmë në Mbretërinë e Bashkuar,” thekson zëdhënësi George Sorial në një komunikatë, raporton AFP.