Trump i shkruan Ramës pas dëbimit të diplomatëve iranianë

Presidenti amerikan, Donald Trump i ka dërguar një letër kryeministrit shqiptar, Edi Ramës pas dëbimit të ambasadorit iranian në Tiranë dhe një diplomati tjetër.

Trump ka përgëzuar Ramën duke thënë se ‘Udhëheqësia e treguar nga ju me dëbimin e Ambasadorit të Iranit nga vendi juaj është shembull i përpjekjeve tona të përbashkëta për t’i treguar qeverisë iraniane se veprimet e saj terroriste në Evropë dhe përreth botës do të kenë pasoja të rënda’.

Letra është bërë publike nga Amabsada Amerikane në Tiranë.

“E përgëzojmë Qeverinë e Shqipërisë për arsye se ndërmori veprime kundër regjimit Iranian për komplotin e tij terrorist në tokën shqiptare, duke kërcënuar sigurinë evropiane. Qeveria e Shqipërisë ka treguar udhëheqësi të vërtetë në përpjekjet tona të përbashkëta për t’i dërguar një mesazh të qartë Iranit se kryerja e veprimeve terroriste në Evropë, apo kudo tjetër, është e papranueshme dhe nuk do të tolerohet. Ne qëndrojmë krah për krah me Shqipërinë, aleatin tonë në NATO dhe partnerin tonë strategjik”, lexohet në statusin e Ambasadës Amerikane.

Ndërsa, kjo është letra e Presidentit Trump:

“I dashur Z. Kryeministër: Faleminderit për përpjekjet tuaja të palëkundura duke iu kundërvënë Iranit dhe duke iu kundërpërgjigjur veprimeve e përpjekjeve të tij destabilizuese për t’u mbyllur gojën disidentëve anembanë globit. Udhëheqësia e treguar nga ju me dëbimin e Ambasadorit të Iranit nga vendi juaj është shembull i përpjekjeve tona të përbashkëta për t’i treguar qeverisë iraniane se veprimet e saj terroriste në Evropë dhe përreth botës do të kenë pasoja të rënda. Shqipëria ka qenë gjithmonë një mike e madhe e Shteteve të Bashkuara dhe unë mirëpres rritjen e partneritetit tonë, ndërsa ballafaqohemi me çështjet e shumta të rëndësishme që të dy vendet tona hasin. Sinqerisht, Donald Trump”.

Shqipëria ka dëbuar dy agjentë iranian, të cilët dyshohen për veprimtari të paligjshme që lidhen me ndeshjen e futbollit të kualifikimit të Kupës Botërore midis Shqipërisë dhe Izraelit dy vjet më parë. Rreth 20 persona janë arrestuar në Shqipëri dhe Kosovë pas kësaj ndeshjeje për planifikimin e një sulmi të dyshuar terrorist. Këtë vendim të qeverisë së Shqipërisë e kanë mbështetur edhe Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo dhe Këshilltari amerikan për Siguri Kombëtare, John Bolton.