Ilustrim

Tri Vende të Dyshuara për Varrezë Masive në Kampusin e UP-së

Kanë filluar gërmimet nën kampusin e Universitetit të Prishtinës nën dyshimet se mund të ketë mbetje mortore të të zhdukurve nga lufta e fundit.

Dëshmitarë të ndryshëm kanë ngritur dyshime se në tri vende rreth objektit të papërfunduar të kishës ortodokse dhe prapa ndërtesës së rektoratit të UP-së mund të gjenden varre masive.

Gërmimet kanë filluar me urdhër të Prokurorisë Speciale ndërsa të pranishëm ishin komisionet për të pagjetur nga Kosova dhe Serbia si dhe familjarë të të pagjeturve.

Prokurori Elez Blakaj konstatoi se dyshohet për më shumë se një lokacion përderisa tha se nuk mund të flitet ende për rezultate.

“Dyshohet për disa koordinata dhe sigurisht përpjekjet e anës praktike do të shkojnë gradualisht për të gjitha këto koordinata që janë përcaktuar edhe në urdhëresë. Sigurisht fjalën kryesore do ta kenë profesionistët dhe ën momentin e parë që do të ketë diçka do të informoheni”, tha Blakaj.

Prenk Gjetaj, Kryetar i Komisionit për të Pagjetur vlerësoi se gërmimet kanë nisur me njoftime dhe bashkëpunim me palën serbe, sipas tij për të mos u politizuar.

“Pala e Beogradit është njoftuar për kohën dhe për vendin që të jenë pjesëmarrës sikur edhe në rastet e tjera ashtu veprojmë edhe në Serbi. Besoj që ky bashkëpunim do të ndihmojë në shtensionimin e problemeve që lokacionet  e dyshuara të mos politizohen” , vlerësoi Gjetaj.

Ndërkaq homologu i Gjetajt nga Serbia ,Velko Odaloviq gjithashtu u deklarua kundër politizimit mirëpo bëri thirrje për shfrytëzim të mirë të zonës afër objekteve siç është edhe kisha ortodokse në këtë kampus.

“Sigurisht që ne nuk do të jemi pjesë e politizimit dhe mendojmë se kjo nuk duhet ët politizohet dhe shpresoj që kur kjo të përfundojë, do ta ketë mbështetjen e të gjithëve. Ata që duhet të vendosin për çështje tjera, përfshirë qeverinë lokale dhe kishën, mendoj se duhet të ulen dhe të merren vesh për mënyrën më të mirë të shfrytëzimit të kësaj zone. Ne nuk do të lejojmë që dikush të ndikojë te ne”, tha ai.

Bajram Çerkinaj, përfaqësuesi i familjarëve të të zhdukurve, u shpreh i prekur nga ngjarja e sotme mirëpo mendon çdo dyshim duhet vërtetohet.

“Unë si familjar jam i zhgënjyer, jam i prekur, jam I mërzitur për shkak se pas 17 vitesh në Kosovë, në qendër të Prishtinës po gërmohet. Asnjë fjalë nuk mund të zotohet e as të thuhet se janë dy, tre apo katër. Dyshimet e dëshmitarëve duhet të shlyhen”, tha Çerkinaj.

Ende nuk dihen se sa do të zgjasin gërmimet ndërsa zyrtarët u zotuan se do të lajmërojnë në rast të gjetjes së mbetjeve mortore.