Konferenca për reparacionet e viktimave të luftës | Foto: KALLXO.com

Tri Pengesat për Dëmshpërblimin e Familjarëve të Viktimave të Luftës

Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë paraqiti sot një raport për problemet dhe paqartësitë me të cilat përballen familjarët e viktimave civile të luftës në lidhje me dëmshpërblimet për të afërmit e tyre të vrarë.

“Shumica e familjeve kanë mbetur jashtë mundësisë së skemës për reparacionet për shkak se thjesht nuk kanë pasur informata të duhura. Gjithashtu është çështja e periudhës kohore, e cila  e kufizon mundësinë që edhe ato familje që kanë pasur viktima civile pas afatit kohor të përcaktuar me ligj mbesin jashtë mundësisë për reparacion. Dhe problemi kryesor ende mbetet ky vendim politik që është marrë nga ministria për stopimin e aplikacioneve,” tha Bala.

Familjarët e civilëve të vrarë janë përfitues të dëmshpërblimit nëse kjo vrasje ka ndodhur nga 20 shkurti i vitit 1998 deri më 20 qershor 1999.

Bala gjatë paraqitjes së raportit tha se këto probleme duhet të zgjidhen, pasi familjarëve të viktimave të luftës reparacionet mund t’u ndihmojnë shumë në jetë.

“Kjo problematikë mbetet edhe sot 17 vjet pas luftës. Këto grupe të cilat janë mjaft të rrezikuara, shumica e familjarëve jetojnë në kushte të vështira ekonomike e sociale, pra edhe kjo ndihma në formë të reparacioneve apo pensioneve do t’u ndihmojë mjaft në jetë,” tha Bala.

Rita Hajzeraj, zëvendësministre e Punës dhe Mirëqenies Sociale, premtoi largim të mangësive nga ligjet që rregullojnë çështjen e viktimave civile të luftës.

“Ne mendojmë që ligjet e ardhshme duhet të jenë më të mira se ligjet që ne tani operojmë me to. Pikërisht kjo është arsyeja se ne si ministri apo si qeveri vazhdimisht tentojmë që ligji të ndryshojë dhe dhe t’i komplementojmë apo t’i plotësojmë mangësitë të cilat i kemi hasur në terren apo të gjeturat që i kemi hasur gjatë zbatimit të tyre,” tha Hajzeraj.

Ajo deklaroi se ministria nuk bën dallime për familjarët e viktimave civile të luftës.

“Ne si Ministri e Mirëqenies Sociale vazhdimisht kujdesemi që asnjë dallim të mos jetë as në racë, as në gjini, as në komunitete, pra sa i përket përfitimit të beneficioneve, sepse ligji është i barabartë për të gjithë,” tha Hajzeraj.

Në diskutimet pas prezantimit të raportit të Fondit për të Drejtën Humanitare u tha se pengesë për përfitimin e familjarëve të viktimave civile të luftës përbëjnë afatet ligjore me të cilat një i vrarë, ose i zhdukur konsiderohet viktimë e tillë.

Reparacionet për të zhdukurit e luftës u takojnë të gjithë atyre qytetarëve të Kosovës që u zhdukën në periudhën nga 1 janari 1998 deri më 31 dhjetor 2000, ndërsa përfitimet e të vrarëve gjatë luftës u takojnë familjarëve të atyre që u vranë nga 20 shkurti i vitit 1998 deri më 20 qershor 1999.

Kjo gjë ngatërron punën, pasi një njeri që është zhdukur pas 20 qershorit 1999 dhe gëzon reparacionet për zhdukjen, po të gjenden eshtrat e tij nuk mund të konsiderohet i vrarë gjatë kësaj lufte.

Shqipe Krasniqi, ushtruese e detyrës së drejtoreshës në Departamentin e Familjeve të Dëshmorëve dhe Invalidëve të Luftës kritikoi raportin e Fondit për të Drejtën Humanitare për përdorimin e termit konflikt.

“Termi konflikt në vend të fjalës luftë në këtë raport mendoj që është jo i qëlluar dhe i papranueshëm sepse duke pasur parasysh që Fondi për të Drejtën Humanitare është OJQ vendore si rrjedhojë do të duhej që luftën e Kosovës ta njohë si luftë ashtu siç është e njohur në legjislacionin e Republikës së Kosovës. Ju si duket e keni përdor këtë term konflikt për t’i kënaqur apetitet e ndonjë minoriteti të caktuar në atë mënyrë që ky hulumtim i juaji të jetë sa më i pranueshëm nga qarqet e caktuara vendore dhe ndërkombëtare,” tha Krasniqi.

Sipas të dhënave të Fondit për të Drejtën Humanitare në Kosovë viktima civile të luftës janë 10317 persona.

Në një sondazh të KDI-së të publikuar më 20 janar, të anketuarit kanë kërkuar që çështjet e të zhdukurve dhe dëmeve të luftës të trajtohen në dialogun e Brukselit.

http://kallxo.com/qytetaret-duan-ceshtje-tjera-ne-dialogun-e-brukselit/

Redaktoi: Bekim Muhaxheri