Nga një mbledhje e komisionit për legjislacion

Tri Orë Diskutim për Auditimin e Subjekteve Politike

Në një takim të iniciuar nga Komisioni për Legjislacion, deputetë, zyrtarë të përfaqësive ndërkombëtare dhe pjesëtarë të shoqërisë civile diskutuan tri orë në lidhje me Ligjin për Auditimin e Subjekteve Politike Kosovare.

Kryetarja e Komisionit për Legjislacion Albulena Haxhiu propozoi që auditimin e subjekteve politike ta bëjë Agjencia Kundër Korrupsionit.

“Auditimin nuk duhet ta bëjnë as Kuvendi, as ndonjë institucion tjetër, por nga praktikat që kemi parë në vendet tjera, mendoj se duhet bëre nga Agjencia Kundër Korrupsionit”, tha Haxhiu.

Kreu i Agjencisë Kundër Korrupsionit Shaip Havolli tha se nuk është kundër një auditimi të tillë, por atë duhet t’ia mundësojë ligji.

“Në bazë të ligjit aktual, agjencia e ka për obligim t’i shikojë të gjitha raportet e auditimit te partive politike, mirëpo vetëm atëherë kur auditimin e bën KQZ-ja, pasi që ata e bëjnë auditimin. Por deri tash asnjë raport s’ka ardhur nga KQZ-ja tek ne. Agjencia është e gatshme të bëjë auditimin e partive politike, po për këtë duhet të kemi mbështetje ligjore”, tha Havolli.

Deputetja e PDK-së Selvije Halimi tregoi se shefi i kësaj partie dhe kryetari i Kuvendit Kadri Veseli ka kërkuar auditim ndërkombëtar të subjekteve politike.

“Kreu i Kuvendit ka kërkuar nga shefja e BE-së Apostolova të dijë nëse mundet një auditor i jashtëm të bëjë auditimin e partive politike, por ende  s’kemi marrë përgjigje nga ajo”, tha Halimi.

Apostolova gjatë takimeve me zyrtarë të lartë kosovarë ka kërkuar publikimin e financave të subjekteve politike, duke u çuditur se si partitë në pushtet nuk janë transparentë rreth financave të tyre.

http://kallxo.com/apostolova-nuk-nderton-mure/

http://kallxo.com/brenda-javes-emerohet-ministri-integrimit-evropian/

Pas këtyre kërkesave të Apostolovës, LDK-ja publikoi financat.

http://kallxo.com/ldk-ben-publike-financat/

financat në faqen e saj të internetit vazhdimisht i ka publikuar vetëm “Vetëvendosja”. Për këtë në takim u mburr Albulena Haxhiu.

“Ne si subjekt politik kemi qenë shume transparentë, jo vetëm me institucionet, por edhe me qytetarët, kur edhe kemi kërkuar nga qytetarët qe te na ndihmojnë financiarisht për aktivitetet tona”, tha Haxhiu.

Por deputeti i LDK-së Naser Osmani tha se financat e subjekteve politike nuk duhet të publikohen në faqen e tyre të internetit, pasi ato nuk janë audituar.

“Pasqyrat financiare nuk do duhej te shfaqeshin në faqet zyrtare të partive politike sepse ato nuk janë të audituara. Nuk kanë pse me u mburre ata me këtë çështje”, tha Osmani.

Që nga viti 2013 nuk janë audituar subjektet politike, pasi Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike nuk ka arritur të zgjedhë auditorët, të cilët pastaj duhet të votohen në Kuvend.

Auditori i përgjithshëm Besnik Osmani në prill të vitit të kaluar kishte deklaruar për Emisionin “Jeta në Kosovë” se nëse Kuvendi i Kosovës u jep si detyrë auditimin e subjekteve politike, ata do të bëjnë një gjë të tillë, edhe pse sipas deklaratave të atëhershme të Osmanit institucioni që udhëheq nuk do ta kryente me dëshirë këtë punë.

http://kallxo.com/auditori-nuk-preferon-auditimin-e-partive-politike/