Foto-ilustrim

Tri Gra Plagosen në Dasmë

Policia Rajonale Prizrenit njofton për plagosje të tri grave nga të shtënat në një dasmë në Tërnje të Suharekës.

Sipas policisë të shtënat në këtë dasmë u shkaktuan nga dy armë- një kallashnikov dhe një pistoletë.

“Rreth orës 22:38 minuta, në një dasmë në fshatin Tërnje, nga të shtënat e pa kontrolluara nga dy armë të zjarrit: njëra kallashnikov dhe tjetra pistoletë, tri femra kanë marrë plagë”, thuhet në komunikatën e policisë.

Policia bën me dije se njëra nga të plagosurat është në gjendje më të rëndë.

“Viktimat janë dërguar në Emergjencën e Spitalit Rajonal  në Prizren për trajtim mjekësor dhe pas dhënies së ndihmës, njëra nga viktimat është përcjell në QKUK në Prishtinë”, vijon komunikata.

Pas marrjes së informatave për plagosjen, policia ka kryer bastisje në katër shtëpi, ndërsa ka konfiskuar një kallashnikov, një pistoletë , një karikator të armës AK- 47, një karikator të pistoletës,  11 fishekë dhe 7 gëzhoja të dy kalibrave të ndryshëm.

Policia gjithashtu ka arrestuar dy të dyshuar për të shtënat, të cilëve me urdhër të prokurorit u është caktuar ndalimi policor.

Policia në fund të komunikatës apelon që të mos përdoren armë nëpër dasma dhe ahengje, pasi nga të shtënat mund të ketë plagosje dhe humbje t jetëve të njerëzve.