Protestë për vonesë të pagave | Foto: RTV 21

Trenat nuk qarkullojnë për një orë

Punëtorët ndërprenë sot nga ora 08:00 e mëngjesit ndërprenë për gati një orë qarkullimin e trenave në shenjë pakënaqësie për vonesën e pagave për muajin prill.

Haxhi Xhemajli, nënkryetar i Sindikatës së Punëtorëve të Hekurudhave të Kosovës, Trainkos ka thënë se për një orë kanë protestuar në shenjë pakënaqësie për vonesën e pagave të muajit prill në këtë ndërmarrje.

Ai ka paralajmëruar protesta edhe për ditën e martë, nëse pagat nuk i marrin deri të hënën.

Ndërsa, Naim Neziri zëvendëskryeshef i Trainkos, protestuesve u ka premtuar se shumë shpejt do të realizohet paga e muajit prill, ngase sipas tij, është arritur një marrëveshje me Ministrinë e Infrastrukturës për pagesën e shpenzimeve të kësaj ndërmarrjeje.

Megjithatë, ai nuk ka treguar asnjë dokument të kësaj marrëveshjeje, apo shumën e premtuar nga Ministria, por shtoi se për këta 250 punëtorë, për pagën e prillit ju duhen 135-140 mijë euro.

Me përfundim të protestës, trenat kanë filluar të qarkullojnë.

Aktualisht, në Kosovë vija të rregullta për transport të brendshëm përmes trenave, ka në relacionin Prishtinë – Pejë, Hani i Elezit – Fushë Kosovë dhe anasjelltas.

Ndërsa, për transport ndërkombëtar, hekurudhat e Kosovës kanë një tren të rregullt, që quhet treni i shpejtë, i cili qarkullon një herë në ditë në relacionin Prishtinë – Shkup – Prishtinë.